Çdo ditë e më tepër Çairi po promovon vlera evropiane. Padyshim se vlerë e pakontestueshme e botës së civilizuar që duhet të stimulohet në vendin tonë është përdorimi i biçikletës për të kontribuar në ngritjen e nivelit të pastërtisë së ajrit dhe mirëqenien fizike të qytetarëve. Duke e pasur parasysh këtë, para një periudhë shumë të shkurtër në Komunën e Çairit filloi krijimi i infrastrukturës rrugore për përdorimin e biçikletës – korsitë e veçanta përgjatë rrugës “Brigada e Dytë Maqedonase” të cilat do të vazhdojnë edhe përgjatë rrugëve tjera. Ndërsa sot, nuk kishte mënyrë më të mirë për të shënuar Javën Evropiane të Mobilitetit duke vozitur biçikletë dhe duke mobilizuar të rinjtë e klubeve sportive të boksit dhe basketbollit në fushën e sportit në Fushë Topanë.
Aq më tepër është kënaqësi të shohësh bartësit e proceseve politike shtetërore dhe lokale të hipur mbi biçikletë duke qenë kështu shembulli i parë i një strukture udhëheqëse që është në shërbim të së mirës së përgjithshme. Ata që u panë duke marshuar sot rrugëve të Çairit të hipur mbi biçikletë ishin Zëvendës Kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, deputeti Ejup Alimi dhe shumë bartës të funksioneve publike në Çair.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu deklaroi: “Ditët e këtilla le të jenë frymëzim që vozitjen e biçikletës ta bëjmë praktikë të përditshme pasi është në shërbim të shëndetit tonë. Sa më shumë përdorim këtë mjet të transportit aq ajër më të pastër do të kemi. Poashtu, do të vazhdojmë me realizimin e projekteve për stimulimin e përdorimit më të shpeshtë të biçikletave përmes korsive të veçanta që po i krijojmë për këtë qëllim. Biçikletën do ta përdor edhe si mjet për të shkuar në punë.”
Zëvendës Kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani deklaroi: Jeta e shëndetshme është vlerë evropiane dhe të gjithë bashkë duhet të angazhohemi për mirëqenie më të madhe shëndetësore, ambient dhe ajër më të pastër në shërbim të shëndetit të të rinjve tanë. Jemi mbledhur këtu të mbështesim Javën Evropiane dhe të rrisim ndërgjegjen për mjedisin tonë, por më e rëndësishmja si mjek ju këshilloj – të lëvizni sa më shpesh #MeBiçikletë, dhe kështu do ti ndihmoni shëndetit tuaj!”