Mediat dënojnë thirrjen për dhunë nga Çilimanov

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Pavarur dhe Punonjësve Mediatikë (SHPGM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) e dënojnë thirrjen për dhunë të personit Cvetin Çilimanov, i punësuar si gazetar në Agjencinë Informative të Maqedonisë, i cili, siç thonë, dje përmes Tuiterit kërkoi nga taksistë maqedonas ta përdhunojnë gazetaren Valeri Hopkins kur do të hipë në automjetin e tyre sepse nuk i pëlqejnë tekstet e saj për gjendjen në Maqedoni.

Marketing

“SHGM, SHPGM dhe KEMM vlerësojnë se kanosjet e këtilla primitive nuk janë të orientuara vetëm kundër koleges Hopkins, por edhe drejt të gjithë komunitetit të gazetarëve dhe kanë për qëllim t’i frikësojnë gazetarët me qëllim që të mos i observojnë në mënyrë kritike proceset politike. Kanosje me përdhunim të Hopkinsit janë veti e ndërgjegjes totalitare nga ditët më të zeza të historisë evropiane, e cila përfshin edhe shfrytëzim dhe dhunë në ballafaqim me ata që nuk mendojnë njëjtë”, thuhet në kumtesën nga SHGM, SHPGM dhe KEMM.

E përkujtojmë Çilimanovin, shtohet, i cili njëherit është edhe nënkryetar i AGM dhe ishte anëtar i ad-hok komisionit të zgjedhjeve në vitin 2016, i propozuar nga ana e VMRO-DPMNE-së, se thirrja e dhunës paraqet shkelje të rëndë të standardeve gazetareske dhe e prish solidaritetin gazetaresk. Me skandale të këtilla të pahijshme diskreditohet i gjithë komuniteti gazetaresk dhe gazetaria në përgjithësi si profesion, i cili duhet të kultivojë tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

“Shtyrja e personave të tjerë të përdhunojnë një gazetare në asnjë rast nuk mund të konsiderohet si liri e shprehjes, por paraqet mohim të saj në formën më brutale të mundshme. Komunikimi i këtillë jo-shembullor me opinionin nuk posedon mbrojtje nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe gjuhë të urrejtjes aprovon madje edhe sanksion me burg”, potencohet në kumtesë.

U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë, thuhet, menjëherë ta hetojnë rastin dhe ta vënë para përgjegjësisë Çilimanovin sepse dhunimi i këtillë në diskursin publik duhet të ndërpritet njëherë e përgjithmonë.