Haradinaj:Vizat s’janë larg mi marrë, taksa hiqet kur të na njeh Serbia!

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka përsëritur se taksa ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake hiqet në ditën kur Serbia e njeh Kosovën si shtet.

Marketing

Gjatë një vizite që i ka bërë komunës së Vushtrrisë Haradinaj ka përmendur edhe punën e vizave për të cilat tha se nuk është larg dita kur do të udhëtojnë në Evropa pa viza ndërkohë që ka thënë se kjo çështje nuk ka lidhje me taksën.

“Vizat nuk i kemi larg mi marrë. Jemi në punë, nuk është e lidhur me taksën. Kërkesa për pezullim të taksës ekziston. Më shumë është si mënyrë për disiplinime. Kur të na njeh Serbia hiqet taksa”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka komentuar edhe vizitën e presidentit të Francës Emanuel Macron në Serbi, ku tha se raportet Kosovë-Francë janë po ato që kanë qenë, në nivel të mirë bashkëpunimi.
Gjatë vizitës në Vushtrri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me kryetarin e kësaj komune, Xhafer Tahiri. Haradinaj e përgëzoi kryetarin e Vushtrrisë për punën që po bën dhe i premtoi ndihmë nga Qeveria.

“Më ka bërë përshtypje puna e kryetarit Xhafer Tahiri, është i fokusuar në tema, vrapon pas punëve. Nivel i qendror ka mundur të bëjë më shumë për këtë qytet. Vushtrria është pa stacion të autobusëve. Zgjerimi i rrugës dhe unaza e qytetit janë projektet që biseduam me kryetarin”, tha Haradinaj. Ndërsa Tahiri theksoi se nga ky takim morën mbështetje nga kryeministri Haradinaj. ” Na keni nderuar me ardhjen tuaj sot këtu. Kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm për punët e mira që po bëjmë. Morëm mbështetje nga kryeministri për zgjerimin e rrugës Vushtrri- Mitrovicë, e cila do ta lidhë gjithë veriun. Për projektet e tjera si unaza e qytetit morëm mbështetje. Qeveria po vazhdon me projektin për parkun”, tha Tahiri.