Partitë komentojnë arrestimet dhe “tronditjen” e Speciales

Deputeti i BDI-së Artan Grubi dhe ai Lëvizja “Besa” Fadil Zendeli kanë komentuar zhvillimet e një ditë më parë, dorëheqjen e prokurores speciale Katica Janeva dhe kontrollin e policisë në shtëpinë e saj, si dhe arrestimin e Bojan Jovanovskit të njohur si “Boki 13” dhe afaristi Zoran Milevski, të dyshuar nga Prokuroria për marrje të dhuratës, për ndikim të kundërligjshëm dhe larje parash.

Marketing

“Ngjarjet e djeshme do të dëshmojnë zbatimin e ligjit dhe zëshëm flasin për nevojën e Vetingut që ne e kemi përgatitur si proces edhe në formë e draft/ligjit për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët, duke respektuar gjithmonë prezumimin e pafajsësisë. Vlerësojë që institucionet duhet ta bëjnë punën e vet, ndërsa ne të tjerët t’i mbështesim institucionet që të zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paanshme dhe të mos ushtrojnë më drejtësi selektive”, tha mes tjerash, deputeti Artan Grubi.

“Prokuroria Speciale me ngjarjet e djeshme ka humbur shumë nga kredibliteti i saj, ndonëse kredibiliteti i saj është lëkundër që më herët për shkak të drejtësisë selektive të kësaj prokurorie. Ngjarjet e djeshme vetëm se konfirmojnë atë që ne më herët e kemi thënë se prokuroria speciale nuk ka qasje të drejtë”, tha mes tjerash deputeti i Lëvizjes “BESA” Fadil Zendeli.

Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski Specialja në vend që të ishte hetuesi ka dalë jashtë përgjegjësive të saja dhe ka krijuar “partneritet me grupet kriminele dhe korrupsion”.

Ai tha se porositësi kryesor është pjesë e partisë në pushtet.