Turqia konfirmon se ka marrë sasinë e parë të sisteme ruse S-400

Qeveria turke thotë se e ka marrë tashmë nga Rusia sasinë e parë të sisteme ruse të mbrojtjes raketore S-400, një cështje që ka krijuar tension me Shtetet e Bashkuara. Njoftimi vjen pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan konfirmoi angazhimin e tij për ta përdorur sistemin vitin e ardhshëm, si dhe për të thelluar lidhjet me Rusinë.

Marketing

“Në pranverën e ardhshme, nesë zoti e do në prill 2020, do të jemi në gjendje të nisim përdorimin e këtij sistemi”, tha zoti Erdogan në një fjalim televiziv përpara zyrtarëve të partisë në pallatin presidencial.

Blerja sistemeve S-400 ka sjellë si rezultat përjashtimin e Turqisë nga programi për blerjen e avionëve luftakë të avancuar amerikanë F-35. Shtëpia e Bardhë ka thënë se F-35 “nuk mund të bashkëjetojë me një platformë ruse që mbledh informacione sekrete që do të përdoren për të marrë informacion mbi teknologjinë e saj të përparuar”.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo paralajmëroi të enjten se çdo aktivizim i sitemit S-400 do të sillte për pasojë vendosjen e sanksioneve.

Në një kohë kur Kongresi bëri thirrje për sanksione të menjëhershme, njoftimi i zotit Pompeo interpretohet si një gjest për t’i dhënë kohë ankarasë që të tërhiqet.

Zoti Erdogan e ka rritur më tej presionin ndaj Uashingtonit, duke paralajmëruar pasoja tek një kontratë e madhe tregtare për të blerë avionët amerikanë Boeing.

“Shpresoj që SHBA do të veprojë me mirëkuptim në lidhje me S-400,” tha ai, duke shtuar se “nëse gjërat vazhdojnë kështu, Turqia do të duhet ta rishqyrtojë kontratën”.

Ndërsa tensionet mes Turqisë dhe SHBA-së po përshkallëzohen, Rusia njoftoi këtë javë lehtësim të procesit për lëshimin e vizave me Turqinë, një kërkesë kjo e Ankarasë.

Në një gjest tjetër rus Aleksandër Mikheev, kreu i kompanisë zyrtare ruse që eksporton armë, “Rosoboronexport” njoftoi të mërkurën se është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Turqinë.