Papa Françesku dhe Pompeo bëjnë thirrje për liri fetare në Lindje të Mesme

Papa Françesku dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, gjatë një takimi në Vatikan, u dakorduan për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të pakicave të krishtera në Lindjen e Mesme, njoftoi Departamenti i Shtetit i SHBA-së.

Marketing

Pompeo, u takua me Papa Françeskun për rreth një gjysmë ore.

“Ata ripohuan përkushtimin e Shteteve të Bashkuara dhe Selisë së Shenjtë për të përparuar lirinë fetare në të gjithë botën, dhe veçanërisht, mbrojtjen e bashkësive të krishtera në Lindjen e Mesme”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

Komunitetet e lashta të krishtera përballen me përndjekje ose ngacmim në disa vende të Lindjes së Mesme, dhe shumë të krishterë janë larguar për të ndërtuar një jetë të re në Perëndim.

Vatikani nuk lëshoi një deklaratë për përmbajtjen e takimit pasi këtë zakonisht e bën vetëm kur Papa takon krerët e shteteve.

Më 2 tetor, Pompeo mori pjesë në një konferencë për liritë fetare në Vatikan, ku kritikoi Kinën për trajtimin e muslimanëve Ujgur.

Pompeo është takuar edhe me udhëheqësit italianë si dhe do të vizitojë shtëpinë e paraardhësve të tij në rajonin Abruzzo në verilindje të Romës përpara se të largohej nga Italia.

Turneu i sekretarit Pompeo në Evropë, përveç Italisë, përfshinë edhe vizitat në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi.