Diskrecioni i Presidentit: Mandatar i dytë bëhet ai që e siguron shumicën parlamentare

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme në Kuvendin e Kosovës, pas 15 ditësh afati kushtetues, Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas së njëjtës procedurë e emëron kandidatin tjetër, por këtë radhë me afat kushtetues vetëm 10 ditor.Këtë procedurë e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe e shtjellon vendimi i Gjykatës Kushtetuese KO113/14, dt. 1 korrik 2014, ku presidenti mund të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë dy herë.

Marketing

Hera e parë është vetë shpjeguese dhe e saktësuar me Kushtetutë dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, ku presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend dhe nuk ka diskrecion të refuzojë caktimin e këtij kandidati të propozuar për kryeministër.

Por, nëse kandidati i parë nuk i merr votat e mjaftueshme, atëherë presidenti e ka në diskrecionin e tij të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër.

Pra, në rast të dështimit të mandatarit të parë, që rrjedh nga fituesi nominal i zgjedhjeve, atëherë presidentit i takon sipas Kushtetutës ta mandatojë një kandidat tjetër, që mund të jetë nga cilado parti që ka kaluar pragun prej 5% në zgjedhjet parlamentare.

Vlen të theksohet se Gjykata Kushtetuese nuk përjashton që presidenti të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë mundësinë të propozojë edhe kandidatin e dytë për kryeministër.

Në parim, në fazën e dytë, rreth caktimit të mandatarit, barra kryesore i bie presidentit, sepse ai gjatë këtij procesi duhet të objektivitet dhe të jetë faktor neutral në këtë garë.

Për të kuptuar më mirë “diskrecionin”, Gjykata Kushtetuese ka vënë në dijeni disa elemente që përbëjnë këtë “diskrecion” në interpretimin e Nenit 95, paragrafin 4 të Kushtetutës, shkruan lajmi.net.

Gjykata Kushtetuese thotë se ky nen “…qëndron i heshtur në pyetjen se cila parti ose cili koalicion e propozon kandidatin e ri për kryeministër. Sipas këndvështrimit të Gjykatës, është në diskrecionin e Presidentit të Republikës që, pas konsultimeve me partitë dhe me koalicionet, të vendosë se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për kryeministër”.

Në kuptimin e pushtetit diskrecionar në një vendimmarrje, ai ushtrohet në mënyrë kushtetuese nëse nuk tejkalon kufijtë e përcaktuar në Kushtetutë dhe nuk është në kundërshtim me normat e gjithë pranuara juridike, si dhe nëse nuk shkel parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore.

Por, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kuptohet në katër kategori kryesore:

Nuk duhet të përjashtohet që Presidenti i Republikës mund të vendosë t’i japë të njëjtës parti ose koalicion edhe një rast për të propozuar kandidatin tjetër, që mund të jetë i suksesshëm në formimin e Qeverisë së re, duke marrë votat e nevojshme në Kuvend.
Gjykata Kushtetuese konsideron se Presidenti i Republikës duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.
Gjykata rithekson se neni 95, paragrafi 4, i Kushtetutës kërkon që të ketë një kandidat tjetër për kryeministër, por e lë të hapur çështjen se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin për kryeministër.
Pasi që, sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e presidentit të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.
Në herën e dytë të gjitha partitë ose koalicionet (parazgjedhore) të përfaqësuara në Kuvend do të jenë të barabarta para presidentit, që ta bindin atë se i kanë gjasat më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Gjasat më të mëdha do të mund të përcaktoheshin sipas kritereve mbizotëruese të cilat do ta ruanin stabilitetin e vendit dhe do të shmangnin zgjedhjet.