Ambasadorja e SHBA-së, Kejt Bërns mbron Marrëveshjen e Prespës kundër paralajmërimeve të VMRO DPMNE-së se do ta rishikojë, respektivisht shfuqizojë të njëjtën nëse do të vjen në pushtet pas zgjedhjeve të prillit.
Bërns thotë se marrëveshja nuk ka zgjidhur vetëm çështjen me Greqinë për emrin, por ka vënë themelet e të ardhmes euro-atlantike të vendit. Diplomatja amerikane thekson se është e domosdoshme që qytetarët t’i kenë parasysh dobitë që marrëveshja i solli vendit.
Nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por me krijimin e mundësive të njerëzve të vendit dhe rajonit. Rëndësia e Marrëveshjes së Prespës është se konfirmon që vendet duhet të bëjnë kompromise të vështira dhe mbi to të ndërtojnë të ardhme të ndritur. Ajo që më shqetëson është përpjekja për t’i hutuar njerëzit rreth ndikimit të Prespës për vendin, për dobitë në krijimin e mundësive të reja, thellimin e bashkëpunimit rajonal, thithjen e investimeve të huaja dhe krijimin e të ardhmes pozitive. Kur dëgjoj të flitet për ndryshimin, shfuqizimin e Marrëveshjes, mendoj se njerëzit duhet të dinë dhe të mendojnë për dobitë që vijnë nga e njëjta – tha Kejt Bërns, Ambasadore e SHBA-së.
Rishikimi eventual i marrëveshjes sipas ambasadores amerikane do të ishte defokusim nga e ardhmja.
Rezultati i Marrëveshjes së Prespës ishte se dërgoi mesazh se Maqedonia e Veriut është gati të ketë bashkëpunim konstruktiv me fqinjët dhe të punojë me fqinjët për aspiratat euro-atlantike. Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në NATO si anëtare e barabartë dhe një ditë do të bëhet anëtare dhe partnere e BE-së. Ky është mesazh i rëndësishëm. Dhe kur thoni se nuk dëshironi të pranoni të arriturat e Marrëveshjes së Prespës përçoni një mesazh krejtësisht ndryshe. Kur flasim për të ardhmen, duhet të fokusohemi në të ardhmen – deklaroi Kejt Bërns, Ambasadore e SHBA-së.
Komentet Bërns i bëri gjatë hapjes së zyrave dypalëshe për bashkëpunim të të rinjve mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Të njëjtat si shembulli i zyrave gjermano-franceze pritet të kontribuojë në tejkalimin e stereotipeve e rritjen e miqësisë mes dy popujve si dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Presidenti, Stevo Pendarovski dhe ambasadori grek, Dimitris Janakakis thanë se zyrat dëshmojnë që Marrëveshja e Prespës ka vendosur kornizën e bashkëpunimit mes dy shteteve në të gjitha sferat. Sot në Shkup poashtu u mbajt edhe takimi i parë i Komitetit të përzier për zbatim të Marrëveshjes së Prespës, për hapjen e kalimit të ri kufitar Lemos-Markova Noga.