Dy ditë radhazi në Kumanovë nuk është regjistruar asnjë rast me të infektuar nga virusi “Covid 19”.
Numri mbetet ai i para tri ditësh 21 të infektuar nga të cilët një i vdekur. Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim përpos kërkesës tashmë të ripërsëritur çdo ditë për vënien e Kumanovës në karantinë të tërësishme, në mbledhjen e së hënës u apeloi Bankave dhe postave , që të vënë rend , si brenda po ashtu edhe jashtë objekteve të tyre , gjatë pagesës së pensioneve apo kryerjes së shërbimeve tjera, në mënyrë që të mos krijohet rrëmujë.
Shtabi komunal gjithashtu ka kërkuar edhe hapjen e më tepër punkteve për testimin nga Virusi Korona në Kumanovë.
Po vazhdojnë edhe aktivitetet për dezinfektimin e objekteve të isntitucioneve shtetërore, banesave kolektive shkollave e objekteve fetare . Ndërsa me tri ekipe për dezinfektim, Ndërmarrja publike “ Pastrim dhe gjelbërim “ ka kryer dezinfektim edhe në lokacione të ndryshme edhe atë në qendër të qytetit, lagje të shumta si dhe fshatra.
Dezinfektimi po kryhet me atomizer, pompa mekanike dhe ekuipazh të madh me pompë lëvizëse. Kryesisht u dezinfektuan rrugë, trotuare, si dhe kontejnerët e plehrave.