Ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ka kërkuar nga kryetari i VMRO-DPMNE-së, që të japë dorëheqje. Mijallkov e ka akuzuar Mickoskin se ka shënuar rezultatin më të dobët në historinë e VMRO-DPMNE-së dhe se nga 455 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2016, ka rënë në 315 mijë vota në këto zgjedhje.
“Rezultat më të dobët ka pasur vetëm Lubço Georgievski në zgjedhjet e vitit 2002 kur mori 300 mijë vota, por nuk duhet të harrojmë se edhe Gerogievski edhe Lube Boshkovski asokohe ishin në listën e zezë amerikane”, ka theksuar Mijallkov në intervistën për Plus Info.
Ai i vlerëson të barabarta me zero gjasat që Mickovski të krijojë shumicë të re qeveritare, duke shtuar se asnjë parti shqiptare nuk do të futej në koalicion me Levicën e Apasievit, cila është anti NATO dhe anti BE dhe kërkon tërheqjen e njohjes së Kosovës.
I pyetur nëse do të aktivizohet në politikë, Mijallkov ka thënë se për momentin nuk ka plane por se asnjëherë nuk dihet se çka mund të sjellë e ardhmja.
Ai poashtu ka akuzuar kryetarin aktual të VMRO-DPMNE-së se në fushatë ka bashkëpunuar me njerëz të dyshimtë prej të cilëve është furnizuar me incizime kundër kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev.