SHBA: Qeveria e re duhet të vazhdojë rrugën progresive

Qeveria e re duhet të vazhdojë rrugën progresive dhe paralelisht me të, të ketë edhe përballje me sfidat me KOVID 19. Ky është qëndrimi i ambasadës amerikane dhënë ekskluzivisht për ALSAT, lidhur me pyetjet tona për qëndrimin e ambasadës për formimin e qeverisë së re dhe punën e institucioneve të saj. Nga ambasada u theksua qartë edhe një nga betejat e ardhshme, ajo e sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit, për të cilat kërkohet intensifikim i angazhimit shtetëror.

Marketing

Ambasada e SHBA-së: “Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të mbajë kursin pozitiv të muajve të kaluar sa i përket integrimit euroatlantik dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe të intensifikojë përpjekjet në fushat kritike si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha format e tij”.

Në përgjigjen e ambasadës nuk ka apele për formim sa më urgjent të institucioneve, duke mos e komentuar hapësirën pas zgjedhore dhe kohën e negociatave për formimin e qeverisë. Por, ambasada amerikane shprehet e sigurt, se pavarësisht sfidave, angazhimet e qeverisë janë të arritshme.

Ambasada e SHBA-së: “Qeveria e ardhshme do ta bëjë gjithë këtë duke vazhduar njëkohësisht betejën kundër COVID 19. Këto janë sfiduese, por në pikëpamjen tonë, objektiva të arritshëm.

Lidhur me sfidat që e presin Qeverinë e re dhe institucionet e vendit, kërkuam mendim edhe nga Zyra e BE-së në Shkup, por nuk morëm përgjigje. Ditë më parë, në takimet mes liderëve politik dhe ambasadores gjermane Anke Holshtein ra në sy kërkesa e liderit të BDI-së Ali Ahmeti për konstituim sa më të shpejtë të institucioneve.