Heshtje në Qeveri për aneksin 12 pikësh që Bullgaria kërkon nga vendi ynë

Qeveria dhe Ministria e Jashtme as që e komentojnë aneksin 12 pikësh të përmendur nga zv.kryeministri bullgar Karakaçanov, si kusht për nisjen e bisedimeve me BE-në. Nga Ministria e Jashtme thonë se presin feedbackun nga Sofja për propozim-planin aksionar.

Marketing

Ministria e Jashtme

“Ministrat, Osmani e Zaharieva komunikuan këtë javë. U dakorduan që ditëve në vijim të shkëmbejnë propozime nga dy palët për Planin aksionar. Gjatë komunikimit të rregullt, vazhdimisht ka shkëmbim të mendimeve dhe ideve; dy palët shpesh ndajnë propozimet dhe pikëpamjet e tyre, ku i theksojnë dhe sqarojnë pozicionet e tyre. I fundit është Plani aksionar për zbatimin e detyrimeve nga Marrëveshja për miqësi e vitit 2017, i cili është propozimi i palës sonë dhe për të cilin presim këto ditë të marrim përgjigje dhe/ose vërejtje dhe propozime nga ana e Bullgarisë”

Për ministrin, Osmani problemi dypalësh por edhe zgjidhja qëndrojnë në marrëveshjen e 2017-tës dhe çdo dalje nga kjo kornizë shkakton huti.

Zgjidhja, formula e vetme është t’i kthehemi parimeve të marrëveshjes, por të gjejmë mekanizma se si ta bëjmë më të parashikueshëm, më të shpejtë e më dinamik, që të krijojë rezultate- deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Zv.kryeministri bullgar Karakaçanov tha se Sofja pret përgjigje për propozim-aneksin, ndërsa zbuloi disa pika.

Maqedonia e Veriut ka shancë të merr datë për fillim të negociatave muajin e ardhshëm ose këtë muaj, janar, nëse ulen dhe e nënshkruajnë atë aneks ndaj marrëveshjes, të cilën ne e propozojmë. Aty ka 12 pika të cilat janë shumë të qarta. E para, heqje dorë nga pretendimet historike, heqje dorë nga pretendimet për pakicë, ndryshim të sistemit arsimor- pohoi Krasimir Karakaçanov, Ministër i Mbrojtjes i Bullgarisë.

Llogari për aneksin 12 pikësh të përmendur nga Karakaçanov kërkoi edhe opozita maqedonase. Nga partia e Mickovskit thonë se ky aneks përmban pozicione të këqija për identitetin maqedonas.

Është turp për identitetin maqedonas, gjuhë, histori të diskutohet në emisione televizive në Sofje, pa e ditur askush në Maqedoni çfarë ka në tavolinë! Është turp në të njëjtën kohë, Dimitrov t’i bind maqedonasit se duhet të pushojnë nga kontesti me Bullgarinë, përderisa Buçkoski përgatitet për takim të ri!- tha Stefan Andonovski, VMRO DPMNE.

Përfaqësuesi special i Qeverisë, Vllado Buçkovski të martën ose të mërkurën udhëton për në Sofje. Përmes një komunikate, dikasteri i jashtëm, konfirmoi se periudhën e ardhshme, takimet e këtilla do të jenë të shpeshta, me qëllim ndjekjen e Planit aksionar dhe nxitjen e bashkëpunimit në të gjitha nivelet. Por pa zbuluar me çfarë porosish konkrete do të udhëtojë Buçkovski.