Ka përfunduar me rezultatin 2-3, në favor të kuqezinjve, ndeshja e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Europian 2022 të Futsallit mes Shqipërisë dhe Danimarkës, që u luajt të enjten në sallën e Parkun Olimpik të Tiranës.
Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, me një pjesë të parë që foli vetëm shqip, me disa raste shumë të mira për t’u shënuar, dy prej të cilave u kthyen në gol.
Selmanaj përfiton nga një top i dhënë bukur nga Halimi, duke e shndërruar në gol dhe duke i dhënë avantazhin Kombëtares që në minutën e 10-të të takimit. 2 minuta më vonë, është vetë Halimi i cili dyfishon rezultatin, duke i dërguar shifrat 0-2 në favor të kuqezinjve.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes, në minutën e 29-të, Selmanaj shkund sërish rrjetën e danezëve, duke trefishuar rezultatin për Shqipërinë. Në minutën e 33-të, danezët shkurtuan rezultatin me Falck, ndërsa shtatë minuta më vonë është Hansen, ai i cili dyfishon shifrat për Danimarkën, por pa ndryshuar fatin e lojës.
Kështu, Shqipëria merr fitoren e parë në këto eliminatore, përballë Danimarkës, ekip me të cilin u përball vetëm një natë më parë (3 mars) po në Tiranë. Ndeshja e kthimit u luajt në Shqipëri, pas vendimit të marrë në konsultat e vazhdueshme me UEFA-n, Federatën Daneze të Futbollit dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.
E gjitha kjo ndodhi për shkak të masave kufizuese të përcaktuara nga autoritetet shtetërore daneze për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si edhe karantinës së detyruar për të gjithë personat që hyjnë në Danimarkë.