Bllokimi i Detit të Zi nga Rusia do të ishte përshkallëzim, thotë SHBA-ja

Departamenti amerikan i Shtetit i quajti “përshkallëzim të paprovokuar” planet ruse për të bllokuar pjesë të Detit të Zi. Bllokimi i tyre mund të pengojë hyrjen në portet e Ukrainës.

Media shtetërore ruse ka raportuar se Moska synon të mbyllë pjesë të Detit të Zi për anijet e huaja ushtarake dhe zyrtare për gjashtë muaj.

Marketing

Një veprim i tillë mund të ndikojë në hyrjen në portet ukrainase në Detin Azov, i cili është i lidhur me Detin e Zi përmes ngushticës Kerç.

Ngushtica ndodhet në lindje të gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia më 2014.

“Kjo paraqet edhe një përshkallëzim tjetër të paprovokuar në fushatën e vazhdueshme të Moskës për të minuar dhe destabilizuar Ukrainën”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate.

“Ky zhvillim është veçanërisht shqetësues pas raportimit për grumbullimin e trupave ruse rreth kufijve të Ukrainës”, shtoi ai.

Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit janë shtuar në javët e fundit.

Fotografitë e fundit, vide-incizimet dhe të dhëna tjera, tregojnë për rritje të prezencës së ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën dhe Gadishullin e Krimesë, që Moska e ka aneksuar më 2014.

Këto të dhëna kanë rritur shqetësimet se Rusia është duke u përgatitur për dërgim të forcave në Ukrainë.

Disa analistë kanë thënë se veprimet e fundit të Rusisë mund të jenë test për administratën Biden dhe përkushtimin që ka ndaj Ukrainës.

Ukraina dhe Perëndimi po ashtu fajësojnë separatistët e përkrahur nga Rusia, që zotërojnë rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut për përshkallëzimin e fundit të situatës, derisa Moska ka drejtuar gishtin te Kievi.

Meqë tensionet janë në rritje e sipër, presidenti amerikan Joe Biden, i ka bërë thirrje javën e kaluar homologut të tij rus Vladimir Putin, që të marrë masa për të ulur tensionet me Kievin, dhe ka propozuar një samit në mes të dy liderëve, në një shtet të tretë./REL