Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ai e konsideron Vatikanin një vend të mirë për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në lidhje me krizën mes dy vendeve.
I pyetur nga gazeta italiane “La Repubblica” nëse Roma apo Vatikani do të ishin të përshtatshme për një samit presidencial për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, Zelensky tha: “Po, Vatikani mund të jetë vendi i përsosur nga çdo pikëpamje”.
“Selia e Shenjtë, si edhe Papa Françesku, janë autoritete morale”, theksoi 43-vjeçari në intervistë.
“Një ndërmjetës me një autoritet të tillë mund të sjellë besimin që ka munguar deri më tani në përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje”, shtoi tha presidenti ukrainas në lidhje me një rol të mundshëm për Papa Françeskun si dhe Vatikanin.
Dislokimet e trupave ruse dhe ukrainase, kohët e fundit, kanë shkaktuar shqetësim ndërkombëtar se luftimet në zonën e konfliktit të Ukrainës lindore mund të përshkallëzohen sërish.
Të premten e kaluar, Rusia filloi tërheqjen e trupave shtesë të dislokuara në gadishullin ukrainas të Krimesë, një veprim i mirëpritur nga Ukraina