Ahmeti – Gençovska: Çdo vonesë shkon në dëm të komunitetit bullgar në vend

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti ka pritur në takim ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, znj. Teodora Gençovska.

Marketing

Ahmeti dhe Gençovska kanë diskutuar mbi kontestin mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, zgjidhje kjo e cila do i jepte dritë jeshile vendit për të filluar bisedimet me Bashkimin Europian dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, derisa vendi tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme.

Kreu i BDI-së Ahmeti gjatë këtij takimi ka thënë se çdo vonesë e paraqitur në zgjidhjen kontestit mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare shkon në dëm të komunitetit bullgar në vend.

Kryetari Ahmeti ftoi autoritetet bulgare për rritje të besimit të ndërsjellë dhe bashkë të punojmë për epilog pozitiv për kontestin bilateral duke ngushtuar hapësirat për veprim të agjendave në vend e rajon që nuk përkojnë me përcaktimet tona perëndimore.

Nga mbyllja e menjëhershme e këtij kontesti do të përfitonte komuniteti bullgar në vendin tonë, rajoni dhe Europa, por gjithmonë pa e cënuar identitetin kombëtar e gjuhësor të bashkëqytetarëve tanë.

Zgjidhja e kontestit mes dy vendeve kontribuon në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit. Qytetarët tashmë presin rezultate pozitive në gjetjen e gjuhës së përbashkët në zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve pasiqë Europa nuk është në paqe të plotë pa Ballkanin Perëndimor.

Ahmeti dhe Gençovska gjatë takimit kanë theksuar se është e nevojshme që të intensifikohen edhe shkëmbimet tregtare dhe kulturore midis dy vendeve tona për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe njohjen më të mirë midis nesh.