Kacarska: Deputetet të mos tallen me Gjykatën Kushtetuese!

Nuk ka pasur një qëndrim kaq joserioz ndaj Gjykatës Kushtetuese në gati 60 vitet e fundit të ekzistencës së saj. Pyes veten nëse deputetët e dinë se cili është roli i kësaj gjykate dhe kujt i përshtatet kjo situatë? Është vërtet e pakuptueshme pse nuk e respektojnë Kushtetutën, thotë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.

Marketing

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, pret që deputetët të fillojnë punën “që nga nesër”, nëse është e nevojshme edhe nga 20 orë punë, që përfundimisht të zgjedhin gjyqtarët kushtetues që Gjykatës të mos i vendoset dryni.

Kacarska për “Sloboden Peçat” tha se nuk ka ndërmend të takohet me kryetaren e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime apo me kryetarin e Kuvendit për të përshpejtuar zgjedhjen e gjyqtarëve sepse beson se ata i dinë përgjegjësitë e tyre.

Kryetarja e Komisionit, Marija Gjeorgievska, sot pret që kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe koordinatorët e grupeve parlamentare të pajtohen për dinamikën e punës së Kuvendit dhe shpreson se do të përshpejtohet zgjedhja e gjyqtarëve.

Ajo kujton se deputetët duhet t’i kishin përfunduar obligimet për përzgjedhjen e gjyqtarëve një vit më parë.

“Ne po punojmë në kufirin e një kuorumi me pesë gjyqtarë, ndërsa Kushtetuta parashiko nëntë. A duhet të ndodhë diçka me një nga gjyqtarët dhe t’i vendosim drynin Gjykatës Kushtetuese? Nuk ka asnjë autoritet tjetër që ka kompetencën tonë për të kontrolluar ligjet që miratohen apo për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Askush nuk u ka dhënë deputetëve të drejtën të ngatërrohen me Kushtetutën dhe është vërtet e pakuptueshme pse nuk e respektojnë?”, pyeti Kacarska.

Ajo shton se një joseriozitet i këtillë nuk është parë në 60 vitet e ekzistimit të Gjykatës Kushtetuese.