Qeveria miraton iniciativën për ndryshimet kushtetuese

Qeveria miraton iniciativën për ndryshimet kushtetuese

DOKUMENTI DO T`I DORËZOHET KUVENDIT

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar tekstin e Propozimit për ndryshime dhe plotësime të Kushtetutës dhe ka vendosur që dokumenti t`i dorëzohet Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, njofton KlanM.

“Intervenimet kanë të bëjnë me shtimin e pjesëve të popujve në Preambulë dhe nenet 49 dhe 78 të Kushtetutës, gjatë numërimit të pjesëve të popujve në vendin tonë. Respektivisht, në formulimin; “Qytetarët e RMV-së, popullit maqedonas, pjesë të poullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit boshnjak e të tjerëve”, pas fjalës popullit boshnjak vendoset presje dhe shtohet: populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebre dhe populli egjiptian”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Sic thuhet në komunikatën e Qeverisë, propozimet për ndryshimet kushtetuese janë përgatitur nga grupi i punës të përbërë nga ekspertë, profesorë të shquar nga disa universitete të vendit si dhe përfaqësues të partive politike, me mbështetje unanime të përmbajtjes së tekstit.

Propozimi, siç përcjell KlanM, është përpunuar në bazë të Konkluzioneve të Kuvendit të miratuar në seancën e mbajtur më 16 Korrik 2022, kurse ndërlidhen me Konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe qëndrimit të përbashkët dhe deklaratës hyrëse të BE-së në takimin politik të Konferencës Ndërqeveritare për aderimin e RMV-së në BE.

“RMV-ja konform përcaktimit strategjik për anëtarësim fuqiplotë në BE është e vendosur t`i zbatojë obligimet e marra në kuadër të kornizës negociuese dhe negociatave aderuese RMV – BE që nisën me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare më 19 Korrik 2022”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Qeveria, siç thuhet në komunikatë, vlerëson se para qytetarëve dhe vendit gjendet shansi i papërsëritshëm për të konfirmuar rrugën evropiane, përshpejtimin e integrimeve evropiane dhe realizimin e qëllimit evropian deri në vitin 2030.

Qeveria, siç përcjell KlanM, pret konstruktivitet nga të gjitha subjektet politike dhe të fokusohen për të arritur konsensusin mbipartiak gjatë miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

“Një vendim i këtillë i Kuvendit të RMV-së do të mundësojë mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në deri në Dhjetor 2023, hapjen e kapitujve në negociata, intensifikimin e reformave dhe anëtarësim të shpejtë në BE”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Qeveria ka bërë thirrje që të mbretërojë arsyeja dhe vetëdija për momentin aktual në të cilin gjendet vendi, me qëllim që të shmanget izolimi i sërishëm shumëvjeçar dhe përfundimisht t`i realizojë perspektivat evropiane