Tabaku ngre alarmin: “Superagjencia” e Shëndetësisë do të kontrollojë 1.5 miliardë euro tendera
Deputetja e PD, Jorida Tabaku akuzon qeverinë se dorëheqja e ministres së Shëndetësisë vjen në prag të krijimit të një agjencie të re që do të përqendrojë tenderat dhe menaxhimin e barnave.
Tabaku e cilëson si një skemë që rrezikon konkurrencën dhe rritjen e kostove, duke përmendur tendera me vlerë rreth 150 miliardë lekë, ose 1.5 miliardë euro.
Deklarata e plotë:
Ministrja e Shëndetësisë ka dhënë dorëheqjen pikërisht në momentin kur pritet të krijohet e të me agjenci e re, një super agjenci, një super kompani e cila do të menaxhojë të gjithë tenderat në fushën e shëndetësisë.
Do të ketë për detyrë që të magazinojë, të administrojë, të përcaktojë specifikimet, të japë një konsideratë sugjerimesh për rezervën strategjike, të transportojë të gjitha barnat, por nga ana tjetër do të shërbejë si një halkë shtesë ndërmjet konsumatorit dhe sistemit të shëndetësisë, duke rritur jo vetëm kostot, sepse përqendrohen në një dorë të gjithë tenderat në fushën e shëndetësisë, do të jetë praktikisht lojtari dhe portieri në një treg abuziv dhe që ka shumë probleme.
E shifrat nuk janë të pakta, janë shifra të cilat flasin për tendera në pothuajse 150 miliardë lekë, 1.5 miliardë euro.
Kjo agjenci është shembulli më i mirë i sistemit, është shembulli më i mirë i monopolizimit, përqendrimit në pak duar, i shkatërrimit të konkurrencës, i rritjes së çmimeve, i dëmit që do të bëhet në kurriz të qytetarëve, si dhe sigurisht në favor të të përzgjedhurve të kryeministrit dhe të përzgjedhurve të qeverisë.
Sepse, kështu funksionon sistemi: duke mbledhur gjithmonë e më shumë para, gjithmonë e më shumë pushtet e nuk kursen askënd. Kësaj radhe nuk kursen as jetën, nuk kursen as shëndetësinë e qytetarëve.
Prandaj duhet të jemi bashkë, të jemi më të bashkuar se kurrë për t’iu kundërvënë asaj makinerie, asaj propagande, atij sistemi që sot po hanë, po grryejnë Shqipërinë, po shkatërrojnë çdo gjë.
Burimi: botasot.info / Aktuale.mk
