Aksion humanitar për dhurimin e gjakut i Ambasadës së SHBA-së dhe Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit dhe Institutin për Mjekësi të Transfuzionit, nesër do të organizojnë aksion për dhurimin e gjakut dhe grumbullimin e produkteve ushqimore për të shënuar Ditën Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit në SHBA.

Marketing

Dhuruesit e gjakut dhe ushqimeve të konservuara, siç thuhet në kumtesën e ambasadës për media, do të priten në Ambasadën e SHBA-së nga ora 09:00 deri në 16:00. Në ora 11:00, ambasadorja Kejt Bërns do t’iu drejtohet të pranishmëve, së bashku me sekretarin gjeneral të Kryqit të Kuq, Sait Saiti dhe Rada Gruboviҫ nga Instituti për Mjekësi të Transfuzionit.

Përmes këtij aksioni në shërbim të komunitetit, donatorët do të ndihmojnë Kryqin e Kuq të rimbush rezervat e gjakut dhe të sigurojë ushqim për familjet në nevojë për muajt e dimrit.

Dita Kombëtare e Shërbimit dhe Përkujtimit filloi në vitin 2002 në nder të viktimave, të të mbijetuarve dhe të gjithë atyre që ofruan ndihmë pas sulmeve të 11 shtatorit. Në vitin 2009, përmes ligjit federal, Kongresi i SHBA shpalli 11 Shtatorin Ditë Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit.