Avni Rustemi: Lojërat Olimpike, përfaqësojnë virtytet më të larta të kombeve

Nga Avni Rustemi

Marketing

Historia e Lojrave Olimpike daton rreth 2300 – 3000 vjet më parë. Origjina e tyre rrjedh nga zona e Olimpisë të Greqisë antike, si festivali më i madh i sporteve i mbijetuar nga lashtësia. Olimpiada e parë moderne u organizua në vitin 1896 në Athinë të Greqisë moderne, ku garuan 280 pjesëmarrës nga 12 kombe, në 43 ngjarje sportive, falë përpjekjeve të francezit Baron Pierre de Coubertin, ku në 1894 propozimi i tij për të ringjallur Lojrat Olimpike u miratua njëzëri në Kongresin Ndërkombëtar në Paris.

Në Edicionin e 29-të të Lojrave Olimpike moderne, në Tokio të Japonisë, po garojnë rreth 11326 sportistë nga 206 kombe të ndryshme, në 50 disiplina sportive, apo në 33 sporte. Europa juglindore po përfaqësohet në formën e saj më të mirë. Republika e Maqedonisë së Veriut fitoi medaljen e parë olimpike pas 21 viteve me Dejan Georgievskin, i cili ka siguruar medaljen e argjendtë në disiplinën e taekvondos, në kategorinë mbi 80 kilogramë. Në anën tjetër, Republika e Kosovës nën drejtimin e trajnerit të Xhudos, Driton Kuka, arriti të sigurojë dy medalje të arta me xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, pas suksesit të Majlinda Kelmendit në lojrat Olimpike – Rio 2016, ku siguri gjithashtu medalje të artë në Xhudo.

Lojrat olimpike na mësojnë që sporti përveç karakterit garues ka potencial real për të tejkaluar hendekun midis racizmit, ksenofobisë dhe diskriminimit, ku ofrohet si mjet komunikimi dhe bashkëpunimi mes popujve, kulturave dhe mjediseve të ndryshme. Lojërat Olimpike, sot përfaqësojnë virtytet më të larta të kombeve, ndershmërinë dhe solidaritetin, duke dhënë kontributin e saj për paqe në botën moderne dhe duke prirë në idenë se mundësitë janë të pafundme kur bashkohen njerëzit në të gjithë botën.