Bekteshi -Kasapogllu: Kompani turke të interesuara për investime në RMV

Investimet, zhvillimi teknologjik, energjia dhe turizmi ishin disa prej temave të seancës së 6-të të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, të kryesuar nga Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministri i Rinisë dhe Sportit të Turqisë, Mehmet Kasapoglu.

Marketing

Ministri turk Kasapoglu informoi se ka interesim nga ana e investitorëve turq për investime në burimet e rinovueshme të energjisë në Maqedoninë e Veriut.

“Ne e konsiderojmë Maqedoninë e Veriut si një partner të rëndësishëm në investime. Investimet turke në Maqedoninë e Veriut deri më tani kanë kaluar 1.2 miliardë dollarë. Por, këtu kemi hapa të rinj, veçanërisht në burimet e rinovueshme të energjisë. Të përgatitur jemi edhe ne, si edhe Maqedonia e Veriut.”, – theskoi ministri për të rinj dhe sport i Turqisë, Mehmet Kasapoglu.

Në kuadër të Komisionit të Përbashkët u nënshkruan edhe një memorandum mirëkuptimi me Agjencinë për rini dhe sport të Maqedonisë së Veriut, si dhe me Agjencinë për mbështetje të ndërmarrësisë. Të dyja palët po intensifikojnë gjithashtu hapat për përditësimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.

“Turqia është një nga investitorët më të mëdhenj në vend dhe jam i bindur se do të vazhdojë të jetë kështu, por synimi ynë është përmirësimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Në fushën e industrisë ka pothuajse liberalizim të plotë dhe presim që në një kohë të shkurtër të rritet bashkëpunimi edhe në fushën e bujqësisë, që është kërkesë e sektorit të biznesit nga të dyja palët – që fermerët tanë të kenë një treg më të madh dhe gjithashtu për të rritur konkurrencën, mbi të gjitha të lëndëve të para që do të vinin në vend nga Turqia.”, – u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Vitin e kaluar tregtia mes dy vendeve arriti afër një miliardë dollarë, kurse Turqia eksportoi 700 milionë dollarë në Maqedoninë e Veriut.