Blair: Intervenimi i NATO-s ishte gjëja e duhur, Osmani e quan hero të Kosovës

Kosova feston 25 vjet çlirim. Ish kryeministri britanik Toni Bler, i cili ka luajtur rol udhëheqës gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në 1999 u nderua me çmimet Çelësi i Qytetit dhe Qytetar Nderi i Kryeqytetit, në Prishtinë. Çmimi Çelësi i Qytetit i dhurohet edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur hero të Kosovës ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler.

Marketing

“Bota demokratike do të kujtohet për here kumbimin e fjalëve, citoj ‘kjo është thjeshtë gjëja e duhur për tu bërë’, fjalë të thëna nga zotëri Blair 25 vjet më parë kur e ftonte botën demokratike t’i bashkëngjiteshin atij, për t’i ndaluar krimet e llahtarshme të regjimit të Millosheviçit në Kosovë”, tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Nga ana tjetër, ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë gjëja e duhur që është bërë.

“Atëherë isha i bindur se ndërhyrja e NATO-s ishte gjëja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj të jem i bindur. Gjithashtu, tani jam i bindur se duhet t’u rrimë krah njerëzve të Kosovës në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj. Këtu po ndodhin shumë gjëra pozitive që janë mësim për tërë botën jo vetëm për popullin e Kosovës”, deklaroi Tony Blair, ish kryeministër i Britanisë së Madhe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se një çerek shekulli më parë u shuan edhe shpresat e politikës serbe për zbrazjen e Kosovës.

“Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999, NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë. Me këtë u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kanë nisur nga 8 qershori dhe do të zgjasin deri më 21 qershor. Në këtë kuadër më 12 qershor do të mbahet seancë solemne në Kuvendin e Kosovës dhe parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Më 12 qershor 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe nga vendi. /Alsat.mk