Bojkoti i referendumit nga shqiptarët, Zyberi: Kërkonim status të barabartë në shtet

Më 8 shtator 1991, 95.26% e qytetarëve maqedonas iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së vetme të referendumit për pavarësi “A jeni për shtet të pavarur dhe sovran të Maqedonisë, me të drejtë të hyrjes në një lidhje të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”. Edhe pse shqiptarët ishin pro shkëputjes nga Jugosllavia, ata njëzëri bojkotuan referendumin, ndërsa deputetët shqiptarë nuk e votuan Kushtetutën e re. Shqetësimi i shqiptarëve, sigurisht edhe i deputetëve të përbërjes së parë parlamentare, ishte mos avancimi i statusit juridik – kushtetues dhe politik të shqiptarëve si popull shtetformues.

Marketing

“Shqiptarët nuk ishin të gatshëm të japin bllanko mbështetje për pavarësinë pa e ditur se çfarë statusi do të kenë shqiptarët në atë shtet të ardhshëm. Ne ofruam një deklaratë, një shtrirje dore që të ndërtojmë një shtet të përbashkët në të cilën shqiptarët do të kenë status të barabartë, meqë nuk u pranua kjo thirrëm popullatën shqiptare që ta bojkotojë referendumin ku mbi 90% e popullatës shqiptare iu përgjigj kësaj ftese. Në anën tjetër ne organizuam edhe një referendum për status special të shqiptarëve në Maqedoni të cilën po ashtu shqiptarët e mbështetën, por kuptohet se ky referendum ishte jolegal, sepse nuk e shpalli Kuvendi, por ishte legjitim për shqiptarët sepse ata e mbështetën masovisht.”,- tha ish deputeti i përbërjes së parë parlamentare, Naser Zyberi.

Respektimi i të drejtave të etniteteve, Zyberi: Përfaqësimi i drejtë, ende has probleme

Zyberi aktualisht është Avokat i Popullit, një post që i mundëson nga afër të monitorojë respektimin e të drejtave të etniteteve. E kur bëhet fjalë për përfaqësimin e drejtë, thotë se ende ka shkelje dhe keqpërdorime.

“Numri i parashtresave që i drejtohen Avokatit të Popullit për diskriminim mbi krerët kombëtarë ose fetarë, sot është minimal. Ka parashtresa por ato kryesisht janë të natyrës së punësimit ose përfaqësimit të drejtë ku në disa institucione, fatkeqësisht ende përfaqësimi lë për të dëshiruar dhe jo rrallë herë ndodh që të keqpërdoret ky instrument me deklarim të rrejshëm të personave për përkatësin e tyre etnike.”,- tha avokati i popullit, Naser Zyberi.

Megjithatë Zyberi vlerëson se Marrëveshja e Ohrit, që ishte vulosje e përfundimit të konfliktit të vitit 2001, ka përmirësuar ndjeshëm statusin e shqiptarëve që përfituan përfaqësim të drejtë institucional dhe zyrtarizim të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, por edhe statusin e etnive të tjera joshumicë. (Tvm2)