Rastet e montuara politike, protestë në Shkup, kërkohet drejtësi

Përmes një marshi protestues, një grup qytetarësh kërkuan drejtësi për, siç thonë, rastet e montuara politike. Sipas tyre, Zoran Zaev në vitin 2017 ka pranuar se Sinisha Aleksovski është fajtor për rastin “Monstra”. Ata thanë se është e qartë se motivi i vrasjes është politik dhe bënë thirrje deri te bashkësia ndërkombëtare që të bëjë trysni dhe të kontribuojnë që të zbardhet e vërteta për këtë rast.

Marketing

“Deklarata e tij ka qenë, citoj: Kryerës i veprës “Monstra” është Sinisha Aleksovski, motivi i vrasjes ka qenë politik. E kemi të qartë motivin e vrasjes së pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës nga Sinisha Aleksovski dhe grupi i tij të përkrahur nga partitë politike të asaj kohe, por nuk e kemi të qartë motivin e Zoran Zaevit, përse e anashkaloi këtë fakt, kur që vet e me gojën e vet e ka thënë dhe nuk veproi për ta arrestuar Sinisha Aleksovskin.”,- tha organizatori i protestës, Bedri Ajdari.

Sipas protestuesve, shqiptarët për 30 vite të pavarësisë të këtij shteti janë nëpërkëmbur nga partitë në pushtet, qoftë ato maqedonase apo shqiptare. Apelojnë që përfundimisht t’i jepet fund politikës nacionaliste dhe anti-shqiptare.

“Jo vetëm gjatë periudhës komuniste, por edhe pas pavarësimit të këtij shteti janë shfaqur edhe në forma më të ashpra të terrorit shtetëror. Sidomos, përmes aksioneve të shpeshta policore, ushtarake në vendbanimet shqiptare dhe me pretekste të ndryshme por edhe përmes shumë proceseve të montuara politike, disa prej të cilëve nuk kanë marrë epilogun e duhur.”,- u shpreh kryetari i IGFM-së, Idriz Sinani.

Marshi që nisi nga Sheshi “Skënderbeu”, përfundoi te zyrat e BE-së në Shkup. Protestuesit thonë se shpresat kanë humbur nga institucionet vendore, andaj vendosën që drejtësinë ta kërkojnë te bashkësia ndërkombëtare.