Donacioni bullgar i vaksinave “Pfizer”, 51 mijë doza me afat skadimi në fund të shtatorit

Parlamenti bullgar miratoi me 146 vota për, ratifikimin e marrëveshjes për dhurimin e 51.480 doza të vaksinave “Pfizer” për Maqedoninë e Veriut. Dozat e vaksinave që do të dhurohen janë me numrat serik FA7083, FC8736 dhe FA4632, me afat deri më 30 shtator 2021. Vlera e donacionit është 1,560,635 leva bullgare.

Marketing

“Konkretisht për donacionin që ia japim Maqedonisë së Veriut, zgjidhja është nëse do t’i shkatërronim apo nëse do t’i dhuronim ato, sepse vaksinat skadojnë deri në fund të shtatorit.”,- tha ministri i shëndetësisë i Bullgarisë, Stojço Kacarov në sqarimin e kërkesës para deputetëve.

Në 22 dhjetor të vitit të kaluar, Sofja zyrtare i premtoi Maqedonisë së Veriut se do të dhurojë një sasi të caktuar vaksinash nga çdo dërgesë që merr. Kjo dërgesë vaksinash duhet të mbërrinte në qershor, por për shkak të problemeve me procedurat, ky afat dështoi. Kacarov informoi edhe ligjvënësit se Pfizer nuk lejoi asnjë vend të shiste ose të dhuronte vaksina pa një vendim paraprak të miratuar nga parlamentet kombëtare.

Marrëveshjet e tjera rreth donacioneve të vaksinave kundër Covid-19, do të rishikohen për shkak të kërkesës për propozime për ndryshime në faturat mes leximit të parë dhe të dytë. Afati i fundit për paraqitjen e propozimeve është tre ditë.