Bushi nga Brukseli: Maqedonia e Veriut po përballet me sukses në luftën kundër trafikimit të armëve

Problemi i përhapjes së pakontrolluar të armëve të vogla dhe të lehta gjatë viteve të fundit paraqet një temë serioze në agjendën ndërkombëtare, rajonale dhe atë nacionale, e cila mund të ketë pasoja të mëdha për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve ku është e pranishme kjo dukuri dhe të shpie drejt abuzimeve të ndryshme, rritjes së krimit dhe dhunës. Kështu është shprehur zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi para kolegëve, Ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian gjatë mbledhjes së nivelit të lartë organizuar nga Komisioni Europian në Bruksel.

Marketing

“Qëkur në Londër, gjatë Samitit të mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit, Ministrat e Punëve të Brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor miratuan Udhërrëfyesin, nisën harmonizimin dhe rishikimin e Strategjisë për Kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta si dhe realizimin e planit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2022-2024, plan ky plotësisht i harmonizuar me Udhërrëfyesin, me ç’rast shtatë synimet të përcaktuara në Udhërrëfyes janë kthyer në objektiva strategjikë me qëllim Kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta”, ka deklaruar mes tjerash Bushi.

Në kuadër të kësaj ngjarje, zëvendësministri i Brendshëm Nazim Bushi ka zhvilluar një takim pune me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian dhe Zëvendës Kryetarin e Komisionit Europian, Josep Borrell dhe komisioneren e BE-së për Punë të Brendshme, Ilva Johanson.

“Informova kolegët ministra të pranishëm në këtë mbledhje të KE-së se gjatë viteve të fundit Republika e Maqedonisë së Veriut është angazhuar në mënyrë aktive për zbatimin e aktiviteteve në procesin e krijimit të një sistemi të kontrollit gjithëpërfshirës të armëve, në përputhje me qëllimet e përcaktuara në Udhërrëfyes dhe në Strategjinë Nacionale për armët e vogla dhe të lehta si dhe në planin e veprimit. Në kuadër të zbatimit të objektivave të Udhërrëfyesit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera kompetente janë duke punuar në mënyrë aktive në harmonizimin e legjislacionit në fushën e armëve të vogla dhe të lehta dhe lëndëve shpërthyese me rregulloren Europiane”, ka thënë më tej gjatë fjalimit të tij zv/ministri i Brendshëm Bushi.

Bushi në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut ka falënderuar të gjitha organizatat ndërkombëtare, të cilat sistematikisht përkrahin vendin tonë në zbatimin e synimeve të përcaktuara në Udhërrëfyesin e BE-së.