Grubi: Pas 20 viteve zbulohet dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit

Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Artan Grubi në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Arkivit Shtetërorë Emill Krsteski, njoftoi se është gjetur dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit, shkruan Alsat. Dokument, fati i të cilit nuk dihej pë plot 20 vite.

Marketing

“Më në fund arritëm që të gjejmë dokumentin origjinal dhe ta dorëzojmë në vendin ku përket, natyrisht në Arkivin Shtetërorë. jam shumë i lumtur, në veçanti pasi këtë po e realizojmë në vigjilje të 20-vjetorit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit”, tha mes tjerash Grubi.

Grubi tha se dokumenti origjinal me vite të tëra ishte ruajtur nga anëtari i Partisë për Prosperitet Demokratik në Tetovë, Dr. Ilir Luma.

“Ai ishte kujdesur 20 vite të tëra për ta ruajtur atë dokument në shtëpinë e vet, dhe duke parë neglizhencën e institucioneve por edhe partive politike të cilat nuk e kishin arkivuar. Bëhet fjalë për person që ka qenë asistues në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe më pastaj që nga zyrat e partisë më të vjetër shqiptare në vendin tonë e merr dhe përkujdeset në mënyrë arkivore në kushte shtëpiake për këtë dokument”, theksoi mes tjerash Grubi.

Dokumenti i është dorëzuar sot Arkivit Shtetërorë, ku edhe do të digjitalizohet.

“Dokumentin origjinal do ta ruajmë, do të dixhitalizojmë, dhe do të jetë i qasshëm për secilin që është i interesuar për historinë dhe detajet. Do të ruhet ashtu siç duhet, me të gjitha standrtet evropiane”, tha Emill Krsteski.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, që u nënshkrua para 20 vjetësh dhe është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë së Veriut. Kjo kontratë e të dy popujve u bë e mundshme pas luftës së armatosur, që ndodhi në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin e vet për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në Maqedoni.

Roli i Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm. Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në IRJM, Unioni Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre: Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes.

Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik, 2001, ua dorëzuan katër liderëve, pjesëmarrës në Qeverinë e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Boris Trajkovski.

Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione euro-perëndimore. Ai nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore. Në fakt, kërkohej që karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror.

Ndërkaq, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Ose me fjalë tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve. Fundi i negociatave shqiptaro-maqedonase ishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Këto deklarata përpiqeshin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se: “Rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka”.

Negociatat shqiptaro-maqedonase, në Ohër, zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13, gusht, 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Ajo u nënshkrua në Shkup, nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit evro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfshinë dhjetë pika kyçe:

1. Parimet themelore;

2. Ndërprerja e armiqësive;

3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;

4. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë;

5. Procedurat e posaçme kuvendore;

6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve;

7. Shprehja e identitetit;

8. Implementimi;

9. Anekset; dhe

10. Dispozitat përfundimtare.