Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nuk pret që në Samitin e BE-së javën e ardhshme të hapet rruga e vendit të tij për start të bisedimeve aderuese, e për këtë, fajin ia hedh Bullgarisë. Në një intervistë për Politico, ai nuk e fsheh pesimizmin.
“Nuk kam pritshmëri. Mendoj se nuk do të ndodhë asgjë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do t’i hapin zyrtarisht bisedimet për anëtarësim, tha ai.
I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së ka sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj:
-Kjo nuk ka të bëjë me ta! Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë e kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por, kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria.
Kryeministri Rama shton se Maqedonia e Veriut po bën përpjekje dashamirëse ndaj kërkesave të Sofjes, duke theksuar se kontesti dypalësh nuk duhet ta pengojë startin e bisedimeve mes BE-së dhe anëtarit të ardhshëm.