Erdogan: Dezinformimi është kthyer në një problem global të sigurisë

Dezinformomi ka tejkaluar fushën e sigurisë kombëtare dhe është kthyer në problem global të sigurisë, paralajmëroi sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Në një video-mesazh të dërguar në ditën e parë të Samitit Ndërkombëtar të Komunikimit Strategjik (Stratcom Summit 21), i cili po mbahet në Stamboll, Erdoğan tha se gënjeshtra, lajmet e prodhuara dhe dezinformatat po përhapen me shpejtësi në rrjetet sociale.

“Pa një mekanizëm efektiv për të kontrolluar kanalet e mediave sociale, gënjeshtrat dhe dezinformatat errësojnë jetën e miliona njerëzve”, tha presidenti turk.

Erdoğan deklaroi se megjithëse rrjetet sociale ishin një simbol i lirisë kur u krijuan për herë të parë, ato tani “janë bërë një nga burimet kryesore të kërcënimeve për demokracinë e sotme”.

“Në këtë drejtim, është e rëndësishme të informohet publiku dhe brenda kornizës së të vërtetës të luftohet kundër dezinformimit dhe propagandës”, theksoi Erdoğan.

Ai shtoi se do të vazhdojnë t’i mbrojnë njerëzit, veçanërisht pjesët e ndjeshme të shoqërisë, nga gënjeshtrat dhe dezinformatat pa rrezikuar të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion të saktë dhe të plotë.

“ Theksojmë se askush dhe asnjë kompani nuk mund të jetë mbi ligjin, pavarësisht nga pasuria, pozicioni dhe ndikimi i tyre ndërkombëtar”, tha presidenti turk.

Ai tha gjithashtu se sigurisht që nuk do të lejojnë që e vërteta të mbulohet nga operacionet e dezinformimit dhe as të mbulohet me gënjeshtra.

Duke theksuar se beson se Samiti Ndërkombëtar i Komunikimit Strategjik do të plotësojë një nevojë të konsiderueshme në këtë fushë, Erdoğan falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që po kontribuojnë në mbajtjen e këtij aktiviteti dyditor.

Samiti po mbahet në Qendrën e Kongreseve Haliç dhe synimi i tij është të bëhet një ngjarje e rëndësishme në krijimin e një klime për komunikime strategjike.

Gjatë samitit do të diskutohen një sërë temash të rëndësishme, si komunikimi strategjik, diplomacia publike, diplomacia digjitale, dezinformimi, menaxhimi i krizës, fushatat e komunikimit, komunikimi i qeverisë, mediat e reja, marrëdhëniet me publikun, analiza e mediave sociale, metaversi, brendimi i kombit, të dhënat e tregut, trendet e reja në teknologjinë e komunikimit, marketingu, llogaritjet mediatike, ndikimi i algoritmeve në jetën e njeriut, sondazhet e opinionit publik dhe komunikimi politik.

Marketing