Fakultetet teknike, i Universitetit të Tetovës, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Fakultetet teknike, i Universitetit të Tetovës, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, sot me bashkëpunëtorët e tij ka pritur në takim udhëheqësit e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe të Fakultetit të Arkitekturës nga Universiteti i Prishtinës.
Ky takim kishte për qëllim nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes universiteteve në fushën e arkitekturës dhe atë të urbanistikës. Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i përgëzoi dekanët e fakulteteve përkatës për këtë iniciativë të ndërmarrë dhe njëherësh theksoi se, universiteti ynë është i hapur dhe në çdo projekt në të ardhmen mund ta konsiderojnë si partner bashkëpunimi.
Po ashtu, në këtë takim, dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Enis Jakupi, i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Armand Vokshi, si dhe dekania e Fakultetit të Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Violeta Nushi, nënshkruan marrëveshjen trepalëshe të bashkëpunimit.
Marrëveshja në fjalë parasheh që fakultetet nënshkruese të angazhohen për bashkëpunim shkencor dhe arsimor. Parashihet që të realizohen projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime të stafit hulumtues dhe mësimdhënësve e studentëve, organizim të konferencave dhe botimeve shkencore, seminare simpoziume e të tjera. Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve, pjesëmarrje në programet ndërkombëtare, si dhe shumë aktivitete në të cilat palët do të vlerësojnë se duhet të bashkëpunohet.

Marketing