“Ferri” i Rocchi: Kam përjetuar një makth, nuk kam pasur kurrë marrëdhënie me drejtues të Interit
Pas stuhisë flet Gianluca Rocchi. Tani që hetimi për mashtrim sportiv në bashkëpunim është arkivuar, ish-dizajnuesi i arbitrave italianë ka komentuar, në një intervistë të gjatë për “Corriere dello Sport”, hetimin ndaj arbitrave që i përmbysi jetën dhe karrierën:
“Kjo bombë më shpërtheu në jetë… E kam përsëritur me vete 50 herë: Pse mua? Çfarë kam bërë? Ishte për t’u çmendur. Dhe gjërat u përkeqësuan gradualisht. Lexova dhe dëgjova gjithçka. Isha përbindëshi. Por përbindësh pse? Kam menduar gjithfarë gjërash. Kush më do kaq keq? Megjithatë, gjeta edhe shumë njerëz miqësorë, madje pati edhe nga ata që u përpoqën të më qetësonin. Më thanë se ndonjëherë këto janë shenja, shenja të një ndryshimi, dhe duhet t’i kuptosh”.
Rocchi vijon rrëfimin e tij: “E gjeta veten me jetën të përmbysur, duke iu dhënë shpjegime fëmijëve të mi. Babai dhe nëna ime kishin vetëm fjalë mbështetëse për mua. Ishte si një flluskë, ja çfarë ishte. Herë pas here e shoh veten nga jashtë dhe shpresoj të zgjohem nga ky makth.
Në makth ndien se ke humbur kodin e jetës, se ke shkatërruar thelbin e sigurisë, se po bie në humnerë… Kam zgjedhur një jetë dhe një rol që bazohen te vlera si ndershmëria dhe drejtësia, por papritur më shndërruan në një lloj krimineli.
Dhe pastaj ishte ajo zbrazëti e madhe për t’u mbushur… Kur kalon nga angazhime 24 orë në 24, sepse dizajnuesi i arbitrave nuk shkëputet kurrë, në hiçin absolut. Ajo që kisha kërkuar për vite me radhë, pak kohë të lirë për të qëndruar me fëmijët e mi dhe për t’u kujdesur për veten, papritur kthehet në një shqetësim, në një ferr. Në mëngjes do të doje të mos zgjoheshe, vetëm që të mos të duhej të gjeje diçka për të bërë. Kështu, çdo ditë, për muaj me radhë”.
Një zbrazëti e shkaktuar nga vetëpezullimi që Rocchi i vendosi vetes: “Nuk mund të kisha vepruar ndryshe, duke respektuar parimet e mia. Kisha përgjegjësi ndaj djemve (arbitrave). Doja që ta përfundonin sezonin në kushte të pranueshme, pa presione shtesë”.
Në qendër të hetimit ishin lidhjet e pretenduara mes Rocchit dhe disa drejtuesve të Interit, por ish-dizajnuesi i arbitrave i mohon kategorikisht: “Marotta? Nuk kam folur kurrë me të, ashtu siç nuk kam pasur dhe as nuk kam kërkuar kurrë marrëdhënie me drejtues të tjerë. Për këtë arsye kisha futur edhe figurën e ‘menaxherit të arbitrave’, një profesionist i ngarkuar me marrëdhëniet me klubet. Besoj se e kanë mbajtur edhe këtë vit”.
Më pas, duke folur për ankesat e klubeve, Rocchi deklaroi: “Gjithmonë, të gjitha klubet, edhe pse në periudha të ndryshme, kanë pasur diçka për të thënë për arbitrat ose ndaj arbitrave. Dhe kur them ‘gjithmonë’, nuk i referohem vetëm periudhës sime. Mund t’ju garantoj se nuk kam favorizuar apo dëmtuar kurrë asnjë skuadër, duke marrë gjithmonë vendime me autonomi të plotë”.
Rocchi pranon gjithashtu edhe gabimet e tij: “Sigurisht që kam bërë gabime, kryesori sezonin e kaluar. E kam gabuar linjën lidhur me VAR-in, kam përcjellë një mesazh të gabuar: më mirë më shumë VAR sesa më pak. Edhe në aspektin e komunikimit, ishte një gabim i madh…” / Aktuale.mk
