Festa është spanjolle, Argjentina mposhtet në një finale plot tension
Spanja ka triumfuar me rezultat minimal 1-0 ndaj Argjentinës, në një finale dramatike që u vendos vetëm pas vazhdimeve.
Koha e rregullt u mbyll pa gola, pavarësisht dominimit dhe rasteve të shumta të krijuara nga përfaqësuesja spanjolle. Portieri argjentinas Emiliano Martinez ishte vendimtar me disa pritje të shkëlqyera, duke ndalur tentimet e Lamine Yamal, Nico Williams, Ferran Torres dhe Aymeric Laporte.
Momenti që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes erdhi në minutën e 93-të, kur Enzo Fernandez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Argjentinën me dhjetë futbollistë.
Spanja e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe vazhdoi presionin edhe në shtesa. Pas një goli të anuluar të Nico Williams në minutën e 96-të, iberikët gjetën golin e fitores në minutën e 106-të. Ferran Torres përfitoi nga një top brenda zonës dhe e dërgoi në rrjetë, duke shkaktuar festë të madhe te spanjollët.
Torres shënoi përsëri në minutën e 113-të pas asistimit të Lamine Yamal, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Argjentina tentoi të barazonte në minutat e fundit dhe pati një mundësi të mirë përmes Marcos Senesit, por nuk arriti ta dërgonte ndeshjen te penalltitë.
Spanja e mbylli kështu finalen me fitore 1-0, pas një paraqitjeje dominuese dhe një beteje të fortë që zgjati 120 minuta.
