G7-a dënon mizoritë e Rusisë në Bucha

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-ës së bashku dënuan “me termat më të fortë mizoritë e kryera nga forcat e armatosura ruse në Bucha dhe një numër qytetesh të tjera ukrainase”.

Marketing

Masakrat në qytetin Bucha dhe qytete të tjera të Ukrainës do të përfshihen në listën e mizorive dhe shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut, të kryera nga agresori në tokën ukrainase, thuhet në një deklaratë të G7-ës pas takimit të tyre sot në Bruksel, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, shkruan BBC.

“Ne theksojmë se ata që janë përgjegjës për këto akte dhe mizori të urryera, duke përfshirë çdo sulm që synon civilët dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile, do të mbahen përgjegjës dhe do të ndiqen penalisht”, shtohet në deklaratë.

Duke nënvizuar “mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën”, ministrat e jashtëm theksuan rëndësinë e “rritjes së mëtejshme të presionit ekonomik” ndaj Rusisë dhe aleatit të saj, Bjellorusisë.

“Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, G7-a do të mbajë dhe rrisë presionin ndaj Rusisë duke vendosur masa të koordinuara shtesë kufizuese për të penguar efektivisht aftësitë ruse për të vazhduar agresionin kundër Ukrainës”, vazhdon deklarata.

“Ne do të punojmë së bashku për të ndaluar çdo përpjekje për të anashkaluar sanksionet ose për të ndihmuar Rusinë me mjete të tjera. Ne po ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të përshpejtuar planet për të reduktuar varësinë tonë nga energjia ruse dhe do të punojmë së bashku për këtë qëllim,” përfundon deklarata.