Grubi jep lajmin: Këtë javë nisin punimet për Korridorin 8

Për mua personalisht, njëjtë edhe për Qeverinë, si dhe bashkëpunëtorët tanë, projekti “Korridori 8”, është projekt jetësor, projekt i karrierës, projekt me të cilin dëshirojmë të mbahemi mend, të mbahemi mend në aspektin se i kemi bashkuar vendet dhe qytetarët tanë, kemi lidhur kryeqytetet tona për të mirë, dhe jo me afera korruptive, apo me çfarëdo qoftë njolle tjetër, kështu deklaroi Zëvendëskryeministri i Parë, Artan Grubi, në auditoriumin e Instituti për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) të mbajtur javën e kaluar në UEJL.

Marketing

Gjatë kësaj ngjarje, Zëvendëskryeministri Grubi tha se konzorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka” tashmë ka siguruar zyrat në Shkup, si dhe ka filluar edhe ndërtimin e kampit në Gostivar, gjegjësisht tek pikë pagesa rrugore Tetovë-Gostivar.

“Kam biseduar me menaxherin e “Bechtel dhe Enka”, tashmë ata kanë siguruar zyret në Shkup, kanë filluar edhe ndërtimin e kampeve në Gostivar. Javën që vjen, do të fillojnë matjet dhe gërmimet gjeologjike për ta analizuar dheun. Qytetarët duhet ta dinë se e gjithë rruga aktuale Tetovë-Gostivar do të prishet e tëra, por që do të ndërtohet një rrugë anësore gjatë punimeve, për lëvizje, më pas do të vijojë nga Gostivari deri në Kërçovë. Kujtoj se atje do të duhet që t’i bashkangjitet projektit të ashtuquajtur kinez, nga Kërçova deri në Ohër. Ndërsa në fshatin Trebenisht, e merr përsipër përsëri kompania “Bechtel dhe Enka”, ku do të bëjë degëzimin e ri deri në fshatin Ladorishtë të Strugës, ku është në në bashkëpunim e sipër edhe me autoritetet e Shqipërisë. Poashtu, po përpiqemi që ta ndryshojmë vend-kalimin kufitar në Qafëthanë për arsye se është shumë i lartë dhe nuk e sjell autostradën në atë lartësi që është aktualisht. Pra, ta ndryshojmë nga Ladorishtja, të kthehet dajthtas me një tunel të përbashkët nga dy kilometra në të dyja anët, dhe të dalim përtej qytezës Prrenjas në Shqipëri, ku edhe do ta shkurtojmë distancën me Tiranën për rreth 20 kilometra. Me pak fjalë, do të kemi autostradë të krejtësishtë të re, me nga tre korsi”, – tha Grubi.

Ai mes tjerash tha se “Korridori 8” është projektuar dhe mbajtur në sirtar për më shumë se 30 vite, me të vetmen arsye për t`u mos realizuar asnjëherë.

“Korridori 10, Athinë-Beograd, tashmë është i ndërtuar në tërësi, por korridori 8 është mbajtur në sirtar dhe nuk është realizuar për më shumë se 30 vite. Shiheni projektin Kërçovë-Ohër, ka filluar në vitin 2013 me një kosto prej 400 milionë euro, ndërsa sot jemi në vitin 2023, dhjetë vite më vonë, kostoja ka shkuar në 600 milionë euro, duke shtuar 200 milionë euro të tjera, pra një rritje prej 50%. Megjithatë, ende nuk kemi asnjë metër asfalt të gatshëm për përdorim”, tha ai.

Grubi gjatë këtij auditoriumi gjithashtu theksoi se një nga arsyet e bashkëpunimit me kompaninë “Bechtel dhe Enka” është që ta shohin qytetarët se ku është dallimi mes investimit kinez dhe atij amerikan.

“Për herë të parë që nga pavarësia e RMV-së, dhe deri më sot, ne po i japim një projekt Amerikës. Gjatë këtyre viteve, ne vetëm kemi marrë nga Amerika, por asnjëherë nuk kemi dhënë. Prandaj, u përcaktuam për të sjellë një projekt të ri, pasi kemi pasur një projekt të dështuar kinez, projektin Kërçovë-Ohër, i cili ka qenë në ndërtim për dhjetë vite dhe nuk ka arritur të realizohet. Për këtë arsye, po bashkëpunojmë me kompaninë “Bechtel dhe Enka”. Synimi ynë është që qytetarët, dhe sidomos bashkë-qytetarët tanë maqedonas, të shohin dallimin midis punës perëndimore dhe asaj lindore, si dhe ndryshimin midis investimeve kineze dhe atyre amerikane”, – theksoi Grubi.

Ndërsa sa i përket aferave korruptive në lidhje me projektin “Korridori 8”, Grubi deklaroi se personalisht nuk njeh ndonjë politikan që është me mend në kokë, dhe që do t`ia kishte lejuar vetes të lëshohet në afera dhe veprime korruptive me një kompani kaq të madhe.

“Shumica e bordit drejtues të “Bechtel dhe Enka” janë ish-diplomat nga Departamenti i Shtetit. Pra, cili politikan me mend në kokë do i kishte lejuar vetes luksin që të përfshihet në afera korruptive me këtë kompani gjigante ose edhe me shtetin amerikan. E kam deklaruar publikisht edhe gjatë debatit që kishim në Odën Ekonomike, të gjithë duhet të thirren në përgjegjësi për çdo përdorim të gabuar të fondeve, pa marrë parasysh nëse është një cent, dhjetë, njëqind apo një mijë. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk është e pranueshme. Personalisht, unë dhe bashkëpunëtorët e mi nuk do të lejojmë që projektin më të madh infrastrukturor në historinë e këtij shteti ta njëllosim.”, deklaroi Grubi.