Grubi për 9 Maj: Ne bëmë gjithçka, radha është e Bashkimit Evropian

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem
politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi ka marrë
pjesë sot në eventin e organizuar për nderë të 9 Majit – Ditës së
Evropës, me temë “Njëzetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë:
Maqedonia e Veriut dhe rruga drejtë Bashkimit Evropian”.

Marketing

“9 Maji i sotëm na gjen në 20 vjetorin e marrëveshjes paqësore të
Ohrit dhe në 30 vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë të
përbashkët. Dy momente këto të transformimit të thellë
shoqërorë, sa të ndara, aq të ndërvarura, momente të një 9 maji
nacional dhe rajonal. Pavarësimi me hamendje nga një sistem i
njëmendësisë në sistem pluralist i përcjellur me trashëgimi të
mendësisë së ish sistemit e pengoi transformimin e mirëfilltë për
arsye të improvizimit dhe mungesës së guximit për një
rrumbullakësim të plotë të një pavarësie të vërtet, të
barabartë për të gjithë. “Paqja në botë nuk mund të mbështetet pa
përpjekje krijuese, në përpjesëtim me madhësinë e kërcënimit”. Këto janë
fjalë të thëna në këtë datë në vitin 1950 nga ministri francez i Punëve
të Jashtme, Robert Schuman në fjalimin e tij historik, në gur themelin e
krijimit e Bashkësive Evropiane dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja
Kornizë e Ohrit është me të vërtetë krijimtaria jonë proporcionale për
paqe, barazi dhe prosperitet për të gjithë. Paraardhësit tanë të fundit
ishin një dekadë me vonesë në bërjen e kërcimit kuantik në përpjesëtim
me madhësinë e kërcënimit të pabarazisë dhe ndarjeve, megjithatë u arrit
nga udhëheqës të guximshëm dhe vizionarë që kthyen faqen e re të
pavarësisë sonë të katërt, pas asaj në vitin 1991, 1945 dhe 1903, dhe
para së pestës në vitin 2020 me anëtarësimin në NATO dhe të gjithë së
bashku në pritje të asaj finale me t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”,
ka thënë Grubi me këtë rast.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi, mes tjerave në fjalimin e tij ka
thënë se Marrëveshja e Ohrit në thelbin e saj është një vlerë e
Bashkimit Evropian dhe është e vetmja marrëveshje e paqes plotësisht e
suksesshme, e garantuar nga BE, SHBA, NATO dhe OSBE, e cila është
zbatuar plotësisht në pjesën normative dhe ka kontribuar pa mëdyshje në
ardhmërinë tonë evropiane.

“Nga perspektiva e sotme, shohim se sa absurde ishte ajo rezistencë, ato
protesta, ato kërcënime, ajo frikë. Gjithmonë them se sa më besnik është
shteti ndaj qytetarëve, aq më besnikë janë qytetarët ndaj shtetit.
Shoqëria e barabartë, për të cilën shkruhet dhe në Marrëveshjen e Ohrit,
kontriboi që unë ta ndjeja shtetin si timin dhe të betohem aq sa u betua
kryeministri Zaev dhe presidenti Pendarovski për të mirën e atdheut tonë
të përbashkët, për ta ndjerë atë si timin. Marrëveshja e Ohrit në
thelbin e saj është një vlerë e Bashkimit Evropian dhe është e vetmja
marrëveshje e paqes plotësisht e suksesshme, e garantuar nga BE, SHBA,
NATO dhe OSBE, e cila është zbatuar plotësisht në pjesën normative dhe
ka kontribuar pa mëdyshje në ardhmërinë tonë evropiane. Prandaj, kjo
zyrë, përmes shkëputjes nga trashëgimia dhe hapit të guximshëm drejt
ndërtimit të themeleve të reja të një shoqërie po aq moderne, duke
pranuar ndryshimet më tepër si një avantazh se sa pengesë, më kujton
transformimin për të cilin ju flisja në fillim. Qytetarët tanë nuk kanë
asgjë më shumë për të bërë, më shumë për të kontribuar, më shumë për të
sakrifikuar për ëndrrën evropiane, sepse ne kemi bërë të gjitha
kompromiset e nevojshme dhe të panevojshme, duke përfshirë edhe ato më
absurde, për të merituar anëtarësimin në familjen evropiane, kështu që
tani është radha e Bashkimit Evropian, tash në testim është guximi
evropian, ne tash presim të njëjtin guxim nga udhëheqësit evropianë që
ata kanë kërkuar nga ne në dy dekadat e fundit, nga Marrëveshja e Ohrit
për ndryshimet kushtetuese, pa vonesë dhe pa arsyetim. Ky vendim nuk
është vetëm një vendim për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut
por është gjithashtu një vendim për mbijetesën e ëndrrës dhe të ardhmes
së Bashkimit Evropian”, ka theksuar mes tjerave në fjalimin e tij me
këtë rast, z. Grubi.