Në kuadër të lobimit për heqjen e vizave, kryeministri Ramush Haradinaj së bashku me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha do të nisin sot promovimin e fushatës së re për liberalizimin e vizave.
Po ashtu, pjesë e kësaj faze promovuese do të jenë edhe Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova dhe Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt.
Kujtojmë se së fundi për heqjen e vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj më 30 korrik të këtij viti, ka votuar pro Komiteti për Liritë civile drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i cili funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian si dhe Parlamenti Evropian i cili votoi pro liberalizimit për Kosovën më 13 shtator të këtij viti.
Nëse ministrat e vendeve anëtare të BE-së bien dakord atëherë kosovarët do të jenë në gjendje të hyjnë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore-me kusht që të mbajnë një pasaporte biometrike-për biznes, turizëm ose për qëllime familjare.
Heqja e kërkesave për viza për kosovarët do të zbatohej në të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, dhe të katër shteteve të Shengenit, jo-BE (Islanda, Lihtenshtajn, Norvegji dhe Zvicër).