I ftohti vret 22 persona në Pakistan


Rënia e ndjeshme e temperaturave në minus 8 gradë dhe reshjet e dendura të borës në qytetin turistik malor të Pakistanit sollën vdekjen e të paktën 22 personave që mbeten te bllokuar në automjetet e tyre mes stuhisë së dendur. Sipas mjekëve shumica e viktimave vdiqën nga hipotermia. Mes të vdekurve ishin 10 burra, 10 fëmijë dhe dy gra. Ministri i Brendshëm, Sheikh Rashid Ahmed tha se mijëra automjete ishin nxjerrë nga dëbora, por më shumë se një mijë makina mbeten të bllokuara në zonën turistike.

Marketing

Vendpushimi dimëror turistik Murree i vendosur 45.5 kilometra në veri të kryeqytetit Islamabad, është shumë popullor për të apasionuarit pas skive. Çdo vit atraksionet turistike në këtë zonë tërheqin mbi një milion turistë vendas e të huaj. Rrugët që të çojnë në këtë vend pushim malor bllokohen shpesh nga bora e dendur në dimër.


Orët e fundit më shumë se 1.2 metra dëborë ranë në atë zonë dhe i gjithë trafiku u bllokua. Reshjet e mëdha të borës penguan përpjekjet e shpëtimit madje edhe pajisjet e rënda të sjella për të pastruar rrugët nga bora.

Ushqime dhe batanije ju shpërndanë turistëve të bllokuar nga moti i keq. Trupat ushtarake dhe makineritë u përdorën me vështirësi për të pastruar të gjitha rrugët ndërsa ushtria krijoi kampe ndihmë mbështetëse që siguronin strehim dhe ushqim./