Ivanov: Nuk e dekretoj marrëveshjen, le të ngrenë Impiçment

Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, nuk ka ndryshuar qëndrim rreth Marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrit….
Sipas tij, Marrëveshja është e dëmshme, prandaj nuk do ta dekretojë atë. Ivanov, madje, i bëri thirrje kryeministrit, Zoran Zaev, që menjëherë të ngrit procedurë për impiçment, pasi qëndrimi i tij në lidhje me marrëveshjen për emrin është përfundimtar dhe se nuk lëshon pe.

Marketing

“I bëj thirrje Zaevit që me dy të tretën e votave, të domosdoshme për ndryshime kushtetuese, menjëherë të iniciojë procedurë për konstatimin e përgjegjësisë së presidentit të Maqedonisë, gjegjësisht impiçment. Qëndrimi im në lidhje me marrëveshjen e dëmshme për emrin është përfundimtar dhe mbetet i pandryshueshëm edhe përskaj të gjitha kërcënimeve dhe trysnive”,- thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i presidentit, Gjorge Ivanov.

Reagimi vjen pas deklaratës së të martës të kryeministrit Zaev, se do të ngrit procedurë për përgjegjësi, nëse Ivanov nuk e dekreton Marrëveshjen për emrin me Greqinë. Por, qeveria sërish ftoi presidentin dhe të gjitha subjektet politike që të kenë parasysh momentin historik, të gjykojnë pa paragjykime Marrëveshjen dhe të krijojnë ambient pozitiv për referendum, për t’u dhënë shansin qytetarëve që ta thonë fjalën e fundit.

“Është koha që të gjitha institucionet politike në RM, përfshi edhe presidentin, të tregojnë përgjegjësi elementare politike për momentin në të cilin ndodhet Republika e Maqedonisë. Qytetarët do ta thonë fjalën e fundit. Çfarëdo që të thonë qytetarët në referendum, vullneti i tyre do të jetë obligativ. Pra, vullneti i qytetarëve do të jetë obligues për subjektet politike. Por, që qytetarët të mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre duhet ambient politik që do t’ua mundësojë atë”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Sa u përket protestave, qeveria konsideron se e drejta për protestë është e drejtë legjitime e garantuar me kushtetutë, për aq kohë sa në to nuk ka gjuhë të urrejtjes, thirrje për linç, ksenofobi dhe dhunë.

Marketing