Kuvendi i Maqedonisë ka caktuar datën kur do të nisë seanca për ndryshimet kushtetuese për përcaktimin e emrit të ri Republika e Maqedonisë Veriore në Kushtetutën e vendit.
Seanca plenare do të mbahet më 15 tetor në ora 11:00, kurse për sot është thirrur mbledhja e komisionit kushtetues në ora 12:00 .
Sipas rregullores Komisioni për ndryshime kushtetuese ka afat prej 10 ditëve që të debatojë për propozimin për qasje deri tek ndryshimet kushtetuese, me çka raporti përsëri do të duhet të gjendet në seancë plenare.
Shumica parlamentare nuk bënë të ditur nëse janë siguruar 80 deputetë që do ti japin dritë jeshile draftit të ndryshimeve kushtetuese që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës.
Deputeti i LSDM-së Aleksandër Kiracovski, tha se deputetët e VMRO-DPMNE-së të mos u nënshtrohen presioneve dhe kërcënimeve dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.
“Unë besoj dhe jam i bindur se shumica e deputeteve, 80% nga ata më së paku, edhe ata të LSDM-së, edhe ata të VMRO DPMNE-së, dhe të gjithë ata që janë nga partitë tjera politike janë në vijën e detyrimit dhe në momentin kyç, do të votojnë për ndryshimet e nevojshme me qëllim që gjeneratave të ardhshme tu sigurojmë ardhmëri”, tha Aleksander Kiracovski, Deputet i LSDM-së.
“Unë nuk njoh asnjë nga 120 deputetët në Kuvend të RM-së, të jetë ndonjëri kundër NATO-së dhe BE-së. Prandaj nuk presim që cili do prej tyre të del dhe të kundërshton integrimin e Maqedonisë për në NATO dhe BE. Jemi në bisedime me gjithë partitë parlamentare dhe jemi të bindur që orientimi i tyre euroatlantik do të ketë mundësi ta shfaqet gjatë ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh Artan Grubi, Deputet i BDI-së.
Zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski ankohet se pushteti po u bën presion deputeteve të partisë së tij, që të votojnë ndryshimet kushtetuese.
“Sa i takon VMRO-DPMNE-së, do të përsëris edhe një herë, qëndrimi është i qartë, VMRO-DPMNE-ja mbështetet në deputetët të cilët u deklaruan dhe porositën edhe pse askush nuk u ka kërkuar, se nuk do të pranojnë ndryshim të emrit kushtetues dhe se çdo mosrespektim i vullnetit të qytetarëve është përplasje direkte mes pushtetit dhe votës së popullit”, tha Naum Stoillovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Ndryshimet kushtetuese që do të jenë pranë deputetëve përfshijnë emërtimin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut, ndryshimi i preambulës, garancitë për kufijt territorial dhe përkujdesja për qytetarët e vendit që jetojnë në vendet fqinje dhe vendet e tjera. Në rast se brenda një afati të shkurtër nuk miratohen, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.