Kapitujt 8 dhe 2 sot në agjendën e skrining mbledhjeve në Bruksel

Në ditën e 4-të skriningut shpjegues për Klasterin e 2 –  Tregu i brendshëm, sot në Bruksel vazhduan prezantimet e Komisionit Evropian për sa i përket Kapitullit të 8-të – Politika e konkurrencës dhe Kapitullit të 2-të Liria e Lëvizjes për Punëtorët.

Marketing

Politika e konkurrencës e Bashkimit Evropian synon krijimin e një tregu të brendshëm, ku operatorët ekonomikë konkurrojnë lirisht me njëri-tjetrin. Legjislacioni në këtë fushë përfshin si konkurrencën, politikat e kontrollit të ndihmës shtetërore.

Ky kapitull përfshin rregulla dhe procedura për të luftuar sjelljen anti-konkurruese nga shoqëritë tregtare, shmangien e monopoleve ne treg, për të shqyrtuar bashkimet mes shoqërive dhe entiteteve ekonomike si dhe për të parandaluar qeveritë të favorizojnë kompanitë e shteteve të tyre duke cenuar konkurrencën fer dhe lojale në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.

Maqedonia a Veriut duke respektuar detyrimet nga kapitulli i 4-të i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim duke harmonizuar dhe transponuar në legjislacionin e vet të gjitha rregullat  fondamentalë të Politikës së konkurrencës së Bashkimit Evropian.

Komisioni për Mbrojte të Konkurrencës është një trup i pavarur që në mënyrë aktive punon në implementimin e legjislacionit në këtë fushë dhe ka vepruar në shumë raste duke krijuar një portfolio impresive të aktiviteteve të ndërmarra.

Komisioni Evropian prezantoi pakon e re të rregullativave dhe direktivave për sa i përket bashkimit të kompanive, antitrustit si dhe ndihmës shtetërore, të cilat do të duhet që shteti ynë ti miratojë dhe implementojë përgjatë procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Kapitulli 2 i Acquis-it të BE-së ”Liria e lëvizjes për punëtorët” thotë: “Qytetarët e BE-së të një shteti anëtar kanë të drejtë të punojnë në një shtet tjetër anëtar, dhe kjo paraqet një nga arritjet kyçe dhe liritë themelore të garantuara në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.

E drejta e punës, studimit, të jetuarit dhe pensionimi në një shtet tjetër anëtar ofron një numër të madh të përfitimeve shoqërore, kulturore dhe ekonomike.

Maqedonia e Veriut ka harmonizuar në vazhdimësi legjislacionin nacional dhe ka përmirësuar kapacitetet institucionale për këtë kapitull, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.

Komisioni Evropian prezantoi rregullativat dhe direktivat e reja për sa i përket Autoritetit Evropian të Punës dhe koordinimit të sistemeve shoqërore të sigurisë.