Klekovski: Po hetohet shkaku i rritjes së numrit të pacientëve në Gostivar

Klekovski: Po hetohet shkaku i rritjes së numrit të pacientëve në Gostivar

Në Gostivar, për momentin, nuk do të shpallet epidemi derisa të përcaktohet shkaku i numrit të madh të qytetarëve me shqetësime në stomak, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit.

Ai bëri të ditur se numri i pacientëve që paraqiten me simptoma të ngjashme mbetet pothuajse i njëjtë gjatë ditëve të fundit.

“Pacientët e parë janë paraqitur natën e 13 korrikut dhe që atëherë numri ka mbetur relativisht konstant. Mbi 200 qytetarë në ditë kërkojnë ndihmë në spital. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 100 ndërhyrje në repartin e pediatrisë dhe 160 në repartin infektiv”, deklaroi Klekovski.

Sipas tij, pasqyra klinike është e ngjashme te shumica e pacientëve: shqetësime të lehta në stomak, diarre, të vjella dhe, në disa raste, temperaturë. Shumica trajtohen për dehidrim me infuzione, vitamina dhe terapi simptomatike, pas së cilës lirohen për mjekim shtëpiak.

Pas takimit me drejtuesit e spitalit, ministri vlerësoi se personeli mjekësor po përballet me situatën dhe se institucioni i ka të gjitha barnat e nevojshme.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me shërbimet epidemiologjike gjatë plotësimit të pyetësorëve dhe analizave shtesë, në mënyrë që të përcaktohet burimi i problemeve shëndetësore.

Prej një dite po merren mostra për koprokulturë dhe po kryhen analiza laboratorike për gjurmë të adenovirusit dhe rotavirusit. Në hetime janë përfshirë disa institucione, ndërsa po kontrollohen mundësi të ndryshme, përfshirë metalet e rënda, parazitët, viruset dhe bakteret.

Duke komentuar deklaratat se shkaku mund të jetë ushqimi dhe jo uji, Klekovski theksoi se vlerësimin përfundimtar duhet ta bëjnë epidemiologët, Qendra e Shëndetit Publik dhe Instituti i Shëndetit Publik.

“Shanset që rreth një mijë persona të helmohen nga ushqimi janë shumë të vogla. Për më tepër, situata po zgjat prej katër ditësh, prandaj për mua ushqimi, logjikisht, është më pak i mundshëm si burim”, deklaroi ministri.

Klekovski shprehu shpresën se nga e hëna do të jenë të disponueshme më shumë rezultate nga analizat e ujit të ujësjellësit të Gostivarit. Analizat mikrobiologjike dhe hetimet për burimin e problemeve vazhdojnë. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF