Kovaçevski – Varhej: Fillimi i negociatave për RMV-në nuk duhet pritur asnjë ditë më tepër

Në kuadër të agjendës së punës për pjesëmarrje në Samitin e Investimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me komisionerin e BE-së për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësie, Oliver Varhej.

Marketing

Në takimin ku morën pjesë zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi dhe ministri Fatmir Besimi, Kryeministri Kovaçevski dhe komisioneri Varheji u pajtuan se janë krijuar kushte që të përshpejtohet procesi i gjetjes së zgjidhjeve ndërmjet Shkupit dhe Sofjes. Integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut nuk guxon të shtyhet për një ditë tjetër dhe prandaj është e nevojshme të shfrytëzohet presidenca franceze dhe mjedisi i favorshëm që ekziston aktualisht për gjetjen e zgjidhjeve, theksuan të dy bashkëbiseduesit.

Në takim u theksua se Ballkani Perëndimor është një rajon evropian dhe se integrimi i vendeve të këtij rajoni nënkupton anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Në aspektin ekonomik, Kryeministri Kovaçevski theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me BERZH-in, i cili me mbështetjen e projekteve të mëdha infrastrukturore ndjek zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe merr pjesë në përshpejtimin e procesit të arritjes së standardeve evropiane, si një nga qëllimet kryesore të politikës financiare të institucioneve të BE-së

Kryeministri Kovaçevski gjatë takimit theksoi se në kuadër të sfidave të reja globale me të cilat ballafaqohet bota, Qeveria e Maqedonisë së Veriut me kujdes e ndjek dhe i ndërmerr të gjitha aktivitetet për ruajtjen e mbështetjes ekzistuese për investimet e huaja dhe vendore, si dhe të eliminohen potencialet e efekteve negative mbi aktivitetin ekonomik në vend.

Lidhur me përcaktimin dhe zhvillimin e investimeve strategjike në fushën e tranzicionit energjetik në vend dhe zgjidhjen e sfidave të krizës energjetike, eurokomisioneri Varheji paralajmëroi mbështetjen e duhur për Maqedoninë e Veriut përmes institucioneve evropiane.