Kryeparlamentari Xhaferi në “Ditën e mysafirëve të lartë” në poligonin ushtarak Krivollak

Sot Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ishte i pranishëm në “Ditën e mysafirëve të lartë” në poligonin ushtarak Krivollak ku zhvillohet stërvitja ushtarake “Goditja vendimtare 21”, në të cilën marrin pjesë pjesëtarë të Armatës sonë dhe të Armatave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Greqisë dhe Bullgarisë. “Goditja vendimtare 21” filloi më 17 maj dhe do të zgjasë deri më 2 qershor të vitit 2021 dhe është aktivitet stërvitës me përmasa më të mëdha dhe është në suazat e “Defender Europe 21” në të cilën marrin pjesë 27 shtete me 28. 000 ushtarë, qëllimi i të cilës është të demonstrojë gatishmërinë e armatave për mbrojtje të besueshme e cila përfshin shumë stërvitje me mbështetje kompjuterike, trajnim në terren dhe gjuajtje ushtarake.

Marketing

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi të madhe dhe krenari të pafshehur që si vend mikpritës Republika e Maqedonisë së Veriut, në vitin e parë të anëtarësimit tonë të plotfuqishëm në Aleancën NATO, arriti të organizojë, kuptohet në bashkëpunim të ngushtë dhe me ndihmën pa rezervë të aleatëve tanë, një stërvitje ushtarake në nivel jashtëzakonisht të lartë, që vetëm e konfirmon gatishmërinë e Armatës sonë, profesionalizmin e saj, aftësinë për komunikim dhe bashkëpunim me armata tjera partnere dhe jo vetëm këtë, por edhe barazinë e saj në mbajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së Evropës dhe rajonit.

Gëzon edhe fakti që poligoni ushtarak Krivollak, me potencialin aktual por edhe me revitalizimin e planifikuar, do të renditet ndër poligonet ushtarake të mbarënjohura, atraktiv për realizimin e stërvitjeve ushtarake të formatit botëror.

Në poligonin ushtarak në Krivollak, krahas Kryetarit Xhaferi, ishin të pranishëm edhe Presidenti Pendarovski, Kryeministri Zoran Zaev, ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Sheqerinska dhe ministra tjerë të Qeverisë, ministrja e Mbrojtjes e Malit të Zi, nënkryetari i Kuvendit Goran Misovski, anëtarë të Komisionit të Mbrojtjes, shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral nënkoloneli Vasko Gjurçinovski dhe përfaqësues tjerë të lartë të Armatës, ambasadorja Kejt Mari Bërnz si edhe kori diplomatik i pranishëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut.