Mickoski: Shteti ka emër të ri, por ne do ta ndryshojmë

Lideri i partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, thotë se shteti ka emër të ri, por sipas tij, ky realitet nuk mund të injorohet. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mickoski tha se do të “luftojnë” që ta ndryshojnë këtë realitet.

Marketing

“Shikoni, ne nuk mund ta injorojmë realitetin në Maqedoni (të Veriut), por do të luftojmë ta ndryshojmë”, tha Mickoski.
Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut u arrit më 17 qershor, 2018. Me të, Maqedonia ndryshoi emrin në Maqedoni të Veriut, por kjo marrëveshje është kundërshtuar që prej fillimit nga VMRO-DPMNE-ja.

Mickoski ka folur edhe për formimin e qeverisë teknike, kur kanë mbetur edhe një javë kohë që ajo të formohet.
Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, në qeverinë teknike, dy ministri do t’i takojnë VMRO-DPMNE-së, përkatësisht ajo e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Politikës Sociale. Megjithatë, kreu i opozitës maqedonase nuk ka dashur të tregojë se kush do t’i drejtojë këto dikastere.

“Kryesisht i definojmë profilet e njerëzve. Njerëzit të cilët duhet të jenë aty, para së gjithash, duhet të jenë të ndershëm, njerëz të cilët nuk kanë njolla të zeza nga e kaluara, njerëz të cilët, kuptohet, do të kenë për detyrë ta sigurojnë fitoren e sigurt të opozitës, të mos lejojmë të na ndodhin dalje prej 90 për qind e më shumë, siç ndodhte më parë. Të sigurohet perimetri në ato pjesë ku presim keqpërdorime, presione, nënçmime, kërcënime nga ana e pushtetit të kryesuar nga Zoran Zaevi, pa marrë parasysh se ai është kryeministër në ikje dhe kryeministër që së shpejti do të jetë në pension politik. Kështu që, emrat do të jenë të ditur dhe menjëherë do të publikohen për publikun kur do të mbarojë seanca e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, atëherë kur ata do të promovohen”, tha Mickoski.

Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, qeveria teknike duhet të funksionojë 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, pritet të mbahen në prillin e vitit 2020. I pyetur nëse në të ardhmen do të bënte koalicion me partinë shqiptare, që aktualisht është në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Mickoski tha se të gjitha opsionet për koalicion mbeten të hapura.

“Ne kemi qëndrim parimor se me partitë politike që do ta pranojnë platformën, përkatësisht programin tonë politikë, do të ulemi, do të bisedojmë dhe pse jo të bëjmë koalicion. Nuk kemi preferenca ndaj asnjërës. Kemi raporte me të gjitha partitë politike në Maqedoni (të Veriut), të cilat janë përfaqësuese të shqiptarëve. Kemi raporte edhe me partitë politike të cilat nuk janë përfaqësuese të shqiptarëve, por të etnive tjera, e kështu me radhë. Kështu që, do ta kemi programin mbi tavolinë dhe nëse në atë program gjejmë pika lidhëse – pse jo”, shprehet kryetari i VMRO-së.
Mickoski njëherësh fajëson pushtetin, pasi sipas tij, nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të reformave në sistemin gjyqësor. Ai thotë se më së miri këtë e dëshmon rasti “Reket”, që ka të bëjë me zhvatjen e 1 milion e gjysmë euro nga biznesmeni, Jordan Kmacevski. Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve është edhe ish-kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.

“Që moti e kemi humbur besimin në gjyqësorin dhe prokurorinë”, shprehet Mickoski. Sipas tij, VMRO-DPMNE-ja nuk është e kënaqur sesi po zhvillohet procesi në rastin “Reket”, teksa shton se partia e tij, për arsye taktike, po pret për të publikuar dokumente që kanë të bëjnë me këtë rast gjyqësor.

“Deri më tani nuk jemi të kënaqur. Nëse më pyesni a jeni të kënaqur – nuk jemi të kënaqur. Përkundrazi, mendojmë se ka keqpërdorim klasik dhe fshehje të aspiruesve të vërtetë, skenaristit të tërë këtij rasti, rastit ‘Reket’, por së shpejti nëse shohim se devijon nga realiteti ky proces, publiku do të jetë dëshmitar se çfarë në të vërtetë po ndodh këtu”, thekson Mickoski.