Ministria e Punëve të Jashtme është një nga institucionet që më pak ose aspak nuk e respekton ligjin e gjuhëve dhe nuk e zbaton gjuhën shqipe në komunikimin e saj. Gjatë periudhës me pandeminë, e shumta, vetëm dy komunikata për riatdhesimin e shtetasve që kishin mbetur jashtë vendit, janë përkthyer në shqip.
“Përveç mbishkrimit, asgjë në Ministrinë e Jashtme nuk është në gjuhën shqipe. Konferencat për media mbahen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën angleze ose në ndonjë gjuhë tjetër që është amë e mysafirit të jashtëm që ndodhet për vizitë zyrtare në vend. Rrjedhimisht edhe përkthimet eventuale janë në këto gjuhë. Gazetarët shqiptarë nuk mund të parashtrojnë pyetje në gjuhën e tyre amë, pasi nuk ka kush t’ua përkthejë”.
Më këtë dikaster, as komunikimi formal, respektivisht ai i shkruar nuk mund të bëhet në shqip, nuk ka zëdhënës shqiptar. Komunikatat zakonisht nuk publikohen në gjuhën shqipe. Përjashtim gjatë kësaj periudhe të krizës me pandeminë u bë me dy komunikata që kishin të bënin me riatdhesimin e shtetasve të mbetur jashtë kufijve. Nuk ka version shqip as pasi faqja elektronike zyrtare u përditësua gjatë muajit shkurt. Materialet vendosen në faqen elektronike edhe në anglisht, por nuk ka kënd për materiale në shqip.
Pas disa ditësh kërkim sqarimi për injorimin e shqipes, nga ky dikaster vendosën të heshtin dhe të mos u përgjigjen pyetjeve tona. Këtë institucion nuk ka kush ta sanksionojë Ende nuk dihet kur do të fillojë me punë Inspektorati për zbatimin e gjuhëve, ndonëse sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve afati i fundit ishte 15 janari.
Ne kemi hapur një konkurs, i cili ka kaluar fazën e parë. Presim pas gjendjes së jashtëzakonshme të fillojnë procedurat e fazave tjera. Besoj që në periudhë shumë të shkurtër do t’i kemi edhe punësimet e para në inspektorat. Por në bazë të Ligjit për mbikëqyrje inspektuese, Neni 42, të gjithë inspektorët duhet të ndjekin trajnime të cilat do të jenë 9 mujore dhe 3 mujore – deklaroi Fatmir Iseni, Inspektorati për zbatimin e gjuhëve. Alsat-M