MPJ e Maqedonisë së Veriut rekomandon të mos udhëtohet në Itali

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Maqedonisë së Veriut sot publikoi rekomandimin deri te qytetarët e vendit që të mos udhëtojnë në Itali për shkak situatës me koronavirusin.

Marketing

“Duke pasur parasysh shpejtësinë e zhvillimeve me Covid‑19 në Itali, rekomandojmë që qytetarët tanë të mos udhëtojnë në tërë territorin e Italisë. Për ata qytetarë që janë tashmë në Itali, rekomandojmë rritjen e masave të kujdesit në çdo kohë dhe duke ndjekur udhëzimet e mediave lokale dhe autoriteteve lokale”, kumtoi MPJ.

“Informojmë se Konsullata jonë e Përgjithshme në Venecia, duke ndjekur praktikën e përfaqësive tjera diplomatike konsullore në rajonin e njëjtë si dhe për shkak të parandalimit të mëtejshëm nga përhapja e Covid-19, në periudhën e ardhshme nuk do të punojë me palë, përveç në situata urgjente dhe të paanulueshme. Për informacione më detajore rreth zhvillimit të situatës, qytetarët e Maqedonisë së Veriut që gjenden në Itali, mund ta kontaktojnë Konsullatën tonë të përgjithshme në Venecia”, njoftojnë nga MPJ.

Nga epidemia e llojit të ri të koronavirusit në Itali deri tani kanë vdekur 463 persona, ndërsa tek 9.172 është konfirmuar prania e koronavirusit.