Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Jakupi: Duhet të harmonizohen me sugjerimet e OSBE-së

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor synojnë demokratizimin e procesit zgjedhor por të njëjtat do të duhet të harmonizohen plotësisht me sugjerimet e OSBE-ODIHR-it. Eksperti I proceseve zgjedhore, ish anëtari në KSHZ, Subhi Jakupi thotë se harmonizimi është në favor të garës fer midis subjekteve politike dhe kandidatëve të pavarur. Jakupi kritikon pragun prej 2% të grumbullimit të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur të cilët duan të kandidojnë në komuna për zgjedhjet lokale.

Marketing

“Është edhe një çështje e cila nuk është në harmoni me sugjerimet OSBE – ODIHR –it të cilat parashikojnë 1% nga numri I votuesve dhe në këtë drejtim une mendoj se ndoshta do të gjejnë një mirëkuptim që kjo çështje të rregullohet dhe nga ajo të cilën ne si ekspertë vërejmë dhe bëjmë krahasimin mes shteteve të tjera besoj që 1% është ajo që duhet dhe më së tepërmi i konvenon çështjes së kandidaturave të pavarura dhe njëkohësisht edhe procesit zgjedhor në përgjithësi.”, tha Subhi Jakupi, ekspert.

Jakupi konteston edhe procesin e vendosjes së pragut prej 3% për listat e hapura të cilat i cilëson si gjysëm të hapura.

“Listat e hapura të cilat parashihen të implementohen për herë të parë për këshilltarët zgjedhorë, por një çështje e kësaj natyre mund të quhen si gjysëm të hapura për shkak se parashikojnë një 3% të numrit të votuesve që duhet të votojnë që të mundet të rradhiten ato dhe të gjejnë vendin e fituesit. Mendoj se edhe këtu duhet të shqyrtohet edhe kjo çështje, por njëkohësisht është edhe një hap përpara që të kemi lista të hapura.”, tha Jakupi.

Kryeministri Zoran Zaev nuk ka përjashtuar mundësinë e uljes së pragut në 1%, pas deklarimeve edhe të presidentit Stevo Pendarovski se s’do jap pëlqimin për ndryshimet e propozuara. Ndryshimet ligjore presin miratimin në kuvend. Kryeparlamentari Talat Xhaferi edhe përkundër shpalljes së zgjedhjeve më 17 tetor, është shprehur se kuvendi mund të mblidhet edhe gjatë pushimit që kanë deputetët ose miratimi miratimi I ndryshimeve në kodin zgjedhor të vijojë pas përmbylljes së pushimeve verore.