Në Kosovë kthehen 120 qytetarë nga Turqia

Ministri në detyrë i Ambientit dhe Infrastrukturës në Kosovë, Lumir Abdixhiku, gjatë një konference për media, tha se në Kosovë sot pritet të kthehen 120 qytetarë nga Turqia – shumica prej të cilëve kanë qenë atje për shërim, por që janë bllokuar për shkak të situatës së krijuar me koronairus.

Marketing

Të gjithë të kthyerit, sipas Abdixhikut, do të vendosen në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 14 ditë, për të shmangur kontaktet me njerëz të tjerë.

“Si koordinator i kësaj nisme, ne kemi ndërtuar një model që ka marrë për bazë nevojat e qytetarëve, por edhe sigurinë e shëndetit publik në Kosovë. Përmes ambasadave është bërë identifikimi dhe janë 2,000 qytetarë që kanë shprehur interesim për kthim”, tha Abdixhiku.

“Do t’i sjellim edhe 50 qytetarë nga Gjermania, 16 studentë nga Polonia dhe një punëtor nga Liberia. Numri varet nga vendet e lira në Qendrën e Karantinës”, tha ai.

Abdixhiku po ashtu tha se po planifikohet edhe kthimi i 100 qytetarëve të Kosovës nga SHBA-ja, por i gjithë procesi do të zhvillohet hap pas hapi, pasi që, sipas tij, kthimi varet edhe nga hapësira që ka Qendra e Studentëve.

Sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, derisa vazhdon situata e emergjencës shëndetësore, të gjithë kosovarët që kthehen në Kosovë gjatë kësaj kohe, fillimisht duhet të hyjnë në karantinë për 14 ditë, në mënyrë që të shmanget përhapja e koronavirusit.

Deri më tash, Kosova ka regjistruar 598 raste të të infektuarve – prej tyre 123 janë shëruar.

Numri i viktimave ka arritur të martën në 16.

Marketing