Nis shitja e biletave për sfidën Shqipëri – Izrael, masa dhe kontroll i rreptë ndaj tifozëve

Kur shorti i Ligës së Kombeve të UEFA-s e vendosi Shqipërinë sërish në një grup me Izraelin, nuk ishin të paktë tifozët shqiptarë që menduan përsëri për masat drastike të sigurisë për një ndeshje futbolli.

Marketing

Këtë javë, kjo atmosferë u rikthye në fokus, në ditën kur nisi shitja e biletave për ndeshjen e parë zyrtare kualifikuese të kombëtares së futbollit, e cila do të luhet në datën 7 shtator, në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Më 12 nëntor të 2016-s, arsyet e sigurisë e çuan përballjen e kualifikueseve të Botërorit nga Shkodra në Elbasan. Zhvendosja e ndeshjes, moti i keq, masat ekstreme të sigurisë dhe humbja e thellë ndaj Izraelit ishin një “përzierje” që lanë shije të keqe te tifozët.

Gjithashtu, sjellja jo e mirë e policisë solli për shumë muaj bojkotin e grupimit më të madh mbështetës të Shqipërisë, “Tifozat Kuqezi”. Për të përfunduar në shkallët e stadiumit të Elbasanit, mbështetësit e Shqipërisë kaluan një kalvar të gjatë.

Tani, kur duhen 3 javë nga përballja që gjeneron më shumë vigjilencë nga autoritetet, pritet që të ketë sërish një plan special masash, e kontroll më të rreptë ndaj atyre që do të pajisen me bileta. Shitja do të jetë në disa pika në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në një kohë që prej disa javësh ka nisur edhe në faqen zyrtare të FSHF-së në internet.

Një vend në tribunat VIP do të kushtojë deri në 18 mijë lekë, ndërsa çmime të papërballueshme do të ketë edhe për pjesën më të madhe në tribunat A dhe B. Vendet më të lira në “Elbasan Arena” do të jenë si zakonisht ato pas portave, në C2 dhe G2. Pritet që siguria e shtuar të ndikojë edhe në kapacitetin e stadiumit, për shkak se disa vende do të lihen bosh për tifozët miq dhe forcat e rendit.

Marketing